Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është arrestuar një person i dyshuar për sulmim ndaj dy mjekëve kujdestarë në Emergjencën Primare të Ferizajt.
“Policia e stacionit në Ferizaj, sot rreth orës 01:00 të mëngjesit ka pranuar një informacion se në rrugën “Ramadan Rexhepi” në Ferizaj është një rast i sulmit ndaj dy mjekëve kujdestarë në Emergjencën Primare”, thuhet në njoftimin zyrtar nga PK-ja.
Pas testimit për alkool, i dyshuari ka rezultuar i dehur me 1.13 promila.
“Në lidhje me këtë, policia i ka marrë veprimet e nevojshme dhe menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, dhe kanë arrestuar personin e dyshuar me inicialet H.H (M/K) i moshës 34 vjeçar, i cili ishte në gjendje të dehur me 1.13 promila, i testuar me alkool test”, ka raportuar Policia e Kosovës.
Me këtë rast, i dyshuari 34-vjeçari me inicialet H.H. është ndaluar në mbajtje për 48 orë.
“I dyshuari më pas është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të Prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore”.
Ndërsa, sipas njoftimit nga policia rasti është cilësuar “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.