I pari i Diplomacisë Amerikane në Beograd, Christopher Hill, ka komentuar qëndrimin e Serbisë, lidhur me mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Sipas Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës(ShBA) në Beograd, vendi i tij e mirëkupton se Serbia ka një histori të gjatë dhe të vështirë me sanksionet.
Por, Hill ka thënë se Serbia duhet ta shqyrtojë mirë se ku i ka interesat e saj kombëtare, pasi herët apo vonë, sipas tij, Serbia do ta kuptojë se është me Perëndimin.
“Do ta paralajmëroja Serbinë që ta kuptojë se kjo nuk është ‘nëna Rusi’, ne po përballemi me një Rusi tjetër”, ka sqaruar Hill.
Sipas tij, është e vështirë për Serbinë, pasi ky shtet për dekada me radhë ka raporte të mira me Rusinë.
Hill ka përfunduar duke i treguar se Rusia e sotme është një shtet ndryshe, pasi sipas tij, është një Rusi që brutalisht sulmon fqinjët e saj, dhe për këtë, ai ka thënë se edhe Serbia duhet të marrë një qëndrim.
Më 24 shkurt, Rusia kishte nisur pushtimin e Ukrainës. Shtet e Perëndimit kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë, ndërsa Serbia është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk i është bashkuar këtyre sanksioneve.