Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se një milion euro do të ndahen për studentët e universiteteve publike, në programet Bachelor dhe Master për vitin akademik 2022-2023.
“Arsimi është prioritet i Qeverisë”, ka shkruar të mërkurën Nagavci në Facebook.
Nagavci ka thënë se përkrahja për studentët do të vazhdojë, ashtu si edhe angazhimi i pandalur për përmirësimin e performancës dhe rezultateve në arsim.
Ky konkurs do të jetë i hapur deri më 2 nëntor.
Në ndërkohë, gjatë ditës së mërkurë në ceremoninë e organizuar nga MAShTI, Nagavci së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti ndanë shpërblime për sukseset e treguara të nxënësve në garat e matematikës dhe të fizikës.
Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, përmes një videoje kishte bërë të ditur se është nisur për në Gjakovë për vënien e gurthemelit të një shkolle dhe çerdheje, gjersa ka shtuar se “E ardhmja e shtetit, ekonomisë dhe shoqërisë sonë mbarë varet nga arsimimi”.
Kurti: E ardhmja e shtetit dhe shoqërisë sonë varet nga arsimimi