Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka kritikuar presidentin rus Vladimir Putin për sulmet e fundit me dronë ndaj civilëve në kryeqytetin ukrainas dhe qytete të tjera , duke thënë se ato përbëjnë “krime lufte”.
Ai po fliste në Bundestag, parlamentin gjerman, pak përpara një samiti të liderëve të Bashkimit Evropian në Bruksel.
“Sulmet e qëllimshme ndaj civilëve janë krime lufte,” tha ai. “Në fund, bombardimet dhe terrori raketor i Rusisë është një akt dëshpërimi – ashtu si mobilizimi i burrave rusë për luftë”, shkruan DW.
Moska e ka mohuar se ka shënjestruar qëllimisht civilët dhe pretendon se sulmet e saj të fundit kanë goditur “objektivat e infrastrukturës” dhe depot e armëve.
Kancelari gjerman përsëriti mbështetjen e Berlinit për Ukrainën për të mbrojtur veten “për aq kohë sa duhet” dhe theksoi se Perëndimi duhet të ndihmojë ukrainasit për të rindërtuar vendin e tyre.
Nina Hasse, korrespondente e DW në Bundestag, tha se Scholz po përpiqej të bindë votuesit gjermanë se mbështetja për Ukrainën do të marrë kohë dhe do të kërkojë sakrifica.
“Lufta dhe pasojat e saj do të na mbajnë të zënë për shumë vite në vijim,” tha Scholz gjatë deklaratës së tij.
Kriza energjetike
“Putini shpresonte të na shantazhonte duke ndalur gazin”, u tha Scholz ligjvënësve. “Por edhe atje ai llogariti gabim”, shtoi ai, duke theksuar se furnizimet alternative të gazit nga vendet evropiane , Shtetet e Bashkuara dhe Lindja e Mesme janë siguruar.
Qeveria njoftoi kohët e fundit se Gjermania kishte mbushur objektet e saj të depozitimit të gazit në 95% përpara afatit të caktuar , por çmimet e energjisë po rriten në të gjithë vendet e BE-së.
Scholz, duke folur përpara se të shkonte në Bruksel për samitin e BE-së ku udhëheqësit do të diskutojnë çështjen, ngriti shqetësimin mbi një tavan të propozuar të çmimit të gazit të BE-së .
Kufiri i çmimeve të gazit “mbart rrezikun që prodhuesit të shesin gazin e tyre diku tjetër dhe ne evropianët do të përfundojmë me më pak gaz në vend të më shumë,” tha ai.
“Kjo është arsyeja pse BE-ja duhet të koordinohet ngushtë me konsumatorët e tjerë të gazit, për shembull me Japoninë dhe Korenë, në mënyrë që ne të mos konkurrojmë me njëri-tjetrin.”
Disa vende të BE-së janë të ndara për një strategji të bashkuar drejt një kufiri mbi çmimet e energjisë.
Italia, Polonia dhe Greqia janë ndër ata që bëjnë thirrje për një kufi pan-evropian të çmimit të shitjes me shumicë të gazit. Gjermania dhe Holanda janë kundër një lëvizjeje të tillë, nga frika se do të dëmtonte ofertën dhe kërkesën globale për gaz.