Lista prej 75 pronash të sekuestruara në aksionin e fundit të prokurorit, Rasim Maloku, në Brezovicë, përmban emra pronarësh të gjykatësve të të gjitha niveleve, politikanëve, biznesmenëve si dhe qytetarëve të tjerë.
Villat janë ndërtuar në Zonën e II-të në Parkun Kombëtar “Sharri” – Zona e Brezovicës, zonë, në të cilën. ndërtimet ndalohen me ligj.
Sipas dokumenteve zyrtare të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, të dorëzuara në Gjykatë, thuhet se sipas këtij ligji, Zona e II-të e këtij Parku karakterizohet me ekosisteme, vlera peizazhore dhe vlera tjera të natyrës, ku mund të ushtrohet eko-turizmi, bujqësia tradicionale dhe veprimtari, të cilat nuk janë në kundërshtim me qëllimet e Parkut, kurse është e ndaluar ndërtimi i çfarëdo objekti për banim.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar listën e 75 pronave, kryesisht villa, në të cilën figurojnë emrat e pronarëve në mesin e të cilëve gjenden gjykatës të të gjitha niveleve, politikanë, biznesmenë si dhe qytetarëve të tjerë, të cilët kanë blerë villa apo kanë blerë parcela dhe më pas kanë ndërtuar villa.
Pjesë e listës janë tre gjykatës të Ferizajt, nga të tri nivelet e gjyqësorit. Raportohet se që të tretë fillimisht kishin blerë parcela në vitin 2016, për të filluar ndërtimin e villave, viteve të fundit. Bëhet fjalë për Mustafë Tahirin, Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, Bashkim Hysenin ish-Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, aktualisht gjykatës në Gjykatën e Apelit, si dhe Agim Maliqi, ish-gjykatës i Gjykatës Themelore në Ferizaj, aktualisht gjykatës në Gjykatën Supreme. Të tre këta gjykatës, pronat i kanë blerë bashkë në vitin 2016, në sipërfaqe 2.84 ari, respektivisht 2.4 ari me një çmim prej 6 mijë euro secili.
Të tre gjykatësit janë kontaktuar për të konfirmuar sekuestrimet e villave të tyre nga Prokuroria, gjë të cilën e kanë konfirmuar.
Agim Maliqi, gjykatës në Gjykatën Supreme, ka konfirmuar se prona e cila i është sekuestruar ishte blerë në vitin 2016 bashkë me dy gjykatësit e tjerë, Mustafë Tahiri dhe Bashkim Hyseni. Ndërkaq, për leje të ndërtimit të villës, ai kishte aplikuar vitin a kaluar.
“Lejen e kam marrë vitin e kalum. Ndërtimin e kam nisur afërsisht në nëntor… Këtë vit kam vazhduar dikun, mos gabofsha, prill-maj qaty dikun”, ka thënë Maliqi.
I pyetur se pse kjo villë nuk figuron në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, Maliqi ka thënë se vitin e kaluar nuk ka pasur objekt, por vetëm themel, ndërsa villa do të deklarohet për këtë vit. I pyetur se si ka blerë pronë dhe si ka ndërtuar në Zonën e II-të të Brezovicës, ku ndërtimi ndalohet me ligj, Maliqi ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për këtë dhe se u takon organeve që kanë lëshuar lejet që ta verifikojnë këtë çështje.
I pyetur se si ka ndërtuar në zonën që nuk lejohet ndërtimi, Maliqi thotë se as sot nuk e dinë në cilën zonë e ka shtëpinë në Ferizaj dhe se për këtë përgjegjësi kanë organet komunale.
Edhe Bashkim Hyseni, ish-Kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, tani gjykatës në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, ka konfirmuar se ka blerë pronën dhe ka ndërtuar villën në Brezovicë.
“Toka u ble dikun 2016, lejen e kena marrë 2018 edhe 2019 qaty ka filluar… Në procedurë të rregullt kemi aplikuar, organet kompetente e kanë lëshuar, me gjithë dokumentacionin çka është dashur”, ka thënë Hyseni.
Ai ka thënë se nuk ka qenë në dijeni nëse ndërtimi në këtë zonë ndalohet, pasi ka ndjekur procedurat ligjore tek organet kompetente.
Ndonëse nuk ka pranuar të deklarohet rreth villës së sekuestruar, Mustafë Tahiri, Kryetar aktual i Gjykatës Themelore në Ferizaj, ka thënë se për momentin nuk ka asgjë për të deklaruar.
“Ju do të informoheni me kohë për çdo detaj lidhur me këtë çështje, unë do t’ju njoftoj juve personalisht edhe krejt të interesuarve, për momentin nuk kam çka të them”, ka thënë Tahiri.
Pasi janë intervistuar dy gjykatësit, Agim Maliqi dhe Bashkim Hyseni, pas një ore, vetë gjykatësi Mustafë Tahiri ka thirrur në telefon hulumtuesin e “Betimit për Drejtësi”, duke shprehur gatishmëri që të deklarohet për këtë temë.
Si të lartcekurit, Tahiri ka konfirmuar se ka blerë pronën dhe ka filluar ndërtimin e villës e cila ende nuk ka shënuar fundin e saj. Ai ka thënë se nuk ka qenë në dijeni se në këtë zonë nuk lejohet ndërtimi, pasi ka aplikuar në mënyrë të rregullt për leje ndërtimi. Këtë të fundit e kishte marrë nga Komuna e Shtërpcës.