Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar të mërkurën se Kosova është e përkushtuar të shtyjë përpara iniciativat në kuadër të Procesit të Berlinit, të cilat ai thotë se janë në dobi të rajonit dhe më gjerë.
Në një postim në Twitter, Sveçla ka bërë të ditur se ka marrë pjesë në takimin e ministrave, në kuadër të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit.
“Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, migracionit të paligjshëm dhe terrorizmit mbetet prioritet për qeverinë tonë”, ka shkruar ai në rrjetin social Twitter.
Ndërsa, ai gjatë fjalimit të tij, ka potencuar rëndësinë jo vetëm të bashkëpunimit rajonal, por dhe më gjerë, në shkëmbimin e informacioneve me qëllim të luftimit të migrimit të parregullt, por dhe në rritjen e sigurisë në përgjithësi.
Gjithashtu, Sveçla ka prezantuar rezultatet e Kosovës në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, të cilat sipas tij, kanë ndikuar në rangimin e Kosovës, duke u bërë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor nga Raporti Botëror i Drejtësisë në Sundimin e Ligjit si dhe përmirësimit për 17 vende në Indeksin e Transparency International.
“Në fjalimin tim ndava edhe përvojën e suksesshme të Kosovës në fushën e luftimit të terrorizmit, në rikthimin dhe riintegrimin e shtetasve që kanë marrë pjesë në luftërat e huaja, kthimin e grave dhe fëmijë të tyre, si dhe rëndësinë e bashkëpunimeve operacionale dhe me shtetet e rajonit”, ka shkruar ai në Facebook.
Po ashtu, ai ka theksuar se parakusht për bashkëpunim të sinqertë është trajtimi i barabartë jo vetëm ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor, por edhe nga vetë BE-ja.
Gjithashtu, sipas tij, Kosova do të vazhdojë të jetë partner serioz në angazhime për sundimin e ligjit, si parakusht për progresin dhe zhvillimin e Kosovës.
Më 3 nëntor, pritet të mbahet samiti i ardhshëm i vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.
Ndërsa, ky samit do të drejtohet nga kancelari gjerman, Olaf Scholz.