A do të zvogëlohet dhuna pas paralajmërimeve për ashpërsim të masave?

Me miratimin e projektligjit për ndryshimin e Kodit Penal, Këshilli Gjyqësor do të ketë regjistër me informacionet e personave që shpallen fajtorë për krimet seksuale dhe dhunën në familje dhe ky regjistër do të jetë publik. Njohësit e çështjeve juridike publikimin e një liste të tillë e kanë cilësuar si shkelje të të drejtave të njeriut





Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 100-të ka miratuar propozimin për plotësim dhe ndryshim të Kodit Penal të Republikës së Kosovës në fuqi dhe Kodit të Procedurës Penale, ku me këto plotësim-ndryshime do të ketë dënime plotësuese ndaj atyre që shpallen fajtorë për dhunim seksual dhe dhunë në familje.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu më një konferencë për media kishte deklaruar se këto dënime do të jenë, ndalimi i kandidimit në çdo pozitë publike në nivel lokal dhe qendror, ndalimi i punësimit në institucione publike në të gjitha nivelet, marrja e lejes së vozitjes e të gjitha kategorive, ndalimi i blerjes në ankande publike dhe shërbime të tjera dhe ndalimi i aplikimit si investitor strategjik dhe privilegje të tjera nga legjislacioni.

Po ashtu, Haxhiu ka thënë se për këto vepra do të shkurtohen afatet e gjykimit, ashtu që të njëjtat nuk do të zgjasin më shumë se një vit.

Personat të cilët kryejnë vepra penale  kundër integritetit seksual, siç është rasti i veprës penale të dhunimit, të njëjtit persona pasi të shpallen fajtor do të evidentohen në një listë publike, e cila do të jetë e qasshme për publikun e gjerë.

“Këshilli Gjyqësor do të ketë regjistër me informacionet e personave që shpallen fajtorë për veprat e tilla penale dhe ky regjistër do të jetë publik”.

Ajo ka theksuar se gjykatat do të obligohen që të publikojnë aktgjykimet për këto raste.

Se si do të ndikojnë këto plotësim-ndryshime, avokati Agon Rrecaj për Portali Dukagjini ka thënë se krijimi i kësaj liste me emrat e këtyre personave nuk është një gjë e mirë dhe se nuk i kontribuon parandalimit të kryerjes së veprave penale kundër integritetit seksual.

Avokati, Agon Rrecaj

Sipas tij, institucionet shtetërore duhet të aplikojnë metoda të tjera të edukimit dhe risocializimit të kryesve të veprave penale, ashtu që këta kryes të kuptojnë pasojat e veprimeve të tyre dhe që në të ardhmen të mos kryejnë vepra të njëjta apo të ngjashme.

“Prandaj, krijimi i kësaj liste publike me emra të këtyre personave mund të ketë ndikim negativ në personalitetin e kryesve të këtyre veprave penale, të cilët mund të stigmatizohen (etiketohen) nga qytetarët tjerë dhe si rrjedhojë risocializimi i tyre nuk do të jetë i mundshëm”.

Për Rrecajn, kjo mund të ndikojë në krijimin e personalitetit recidivist dhe që këta persona të shndërrohen në përsëritës të veprave penale si pasojë e këtyre rrethanave.

Ndërkaq, sa i përket ndalesave të tjera të propozuara, ai ka thënë se si dënime plotësuese ndaj këtyre kryesve të veprës penale, duhet të shqyrtohet hollësisht propozimi i Qeverisë në lidhje me atë se deri në çfarë mase do të bëhet ndalimi i kandidimit në pozita publike.

“Duhet të sqarohet a kemi të bëjmë me poste politike dhe nivele të tjera të larta të emërimit në pozita publike, apo kemi të bëjmë me të gjitha pozitat publike, duke përfshirë edhe ndalimin që të kandidojë në një pozitë për emërim si zyrtar publik në Shërbimin Civil të Kosovës”.

Ndërsa sa i përket çështjes që kryesve të këtyre veprave t’u ndalohet pajisja me patentë shofer, ai ka thënë se një gjë e tillë është krejtësisht e panevojshme dhe nuk i kontribuon aspak parandalimit të kryerjes së këtyre veprave penale, sepse pajisja me patent shofer është një aftësim i personit për shfrytëzuar automjetin për kryerjen e nevojave të përditshme të tij dhe të familjes.

“Privimi nga një e drejtë e tillë nuk ka asnjë efekt në parandalimin e kryerjes së veprave të tilla, ndërsa në një rrethanë tjetër mund të ketë pasoja për shoqërinë tonë, për shkak se një person i cili nuk arrin të pajisjet me patent shofer, lehtësisht mund të mbetet i papunë”.

Ndër të tjera ai ka theksuar se një situatë e tillë mund të ndikojë që kryesi i veprës penale pas mbajtjes së dënimit të vihet në gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale, e cila mund të ndikojë që i njëjti pastaj të zgjedhë rrugën e krimit si mjet të vetëm për të siguruar ekzistencën e tij.

Sipas avokatit Rrecaj, këto plotësime dhe ndryshime të propozuara, edhe nëse miratohen, nuk do të jenë me ndikim që të parandalohen krime të tilla kundër integritetit seksual, për shkak se të njëjtat ndryshime të propozuara përmbajnë në vete elemente të hakmarrjes së shtetit ndaj kryesit të veprës.

“Ndërsa qëllimi i sanksioneve penale në asnjë rrethanë nuk ka karakter hakmarrës, por si qëllim të vetëm ka parandalimin e vetë kryesit që në të ardhmen të kryejë vepra të tilla, që kryesi i veprës gjatë vuajtjes së dënimit përmes edukimit të risocializohet, si dhe të ndikohet në personat e tjerë që të mos kryejnë vepra të tilla”.

Ndërsa sa i përket çështjes së ashpërsimit të dënimeve, siç thotë ai nuk është e nevojshme sepse “me Kodin Penal në fuqi, lartësia e dënimeve të parashikuara për veprat penale kundër integritetit seksual është mjaftueshëm e lartë, ndërsa u mbetet vetëm gjykatave që të aplikojnë dënime më të larta brenda kufijve të lejuar”.

Edhe avokati Ekrem Hoxha njëherësh nënkryetar për Evropë i Rrjetit të Avokatëve Ndërkombëtarë (AEA), në lidhje me këto plotësim-ndryshime të propozuara mendon ngjashëm.

Avokati, Ekrem Hoxha

Sa i përket listës publike për të dënuarit, Hoxha për Portali Dukagjini ka thënë se kjo përbën një shkelje të të drejtave të njeriut.

“Pas vuajtjes së dënimit, kodi ka paraparë edhe rehabilitimin ligjor, ndërsa pasojat per të do të jenë pastaj të pariparueshme. Po ashtu mund të ndodhë që dikush mund edhe të dënohet pa bazë duke pasur parasysh edhe nivelin e sistemit gjyqësor e të drejtësisë dhe praktikës paraprake. Kjo ka ndodhur dhe mund të ndodhë edhe në të ardhmen”, ka thënë ai.

Sipas tij, personi që vërteton se nuk ka ndjekje tjetër penale edhe e ka përfunduar dënimin konsiderohet se  ka kaluar në procesin e rehabilitimit ligjor dhe ai i ka te gjitha të drejtat si personat e tjerë.

Avokati Hoxha ka theksuar se çdo ndryshim është produkt i një nevoje dhe vështirësie paraprake, prandaj siç thotë ai, koha dhe dinamika e kushtëzon ndryshimin dhe sipas tij çdo plotësim tjetër do duhet të jetë me impakte pozitive.

Ky projektligj për plotësim-ndryshimin e Kodit Penal, sipas procedurave duhet të dërgohet në komisionet parlamentare, e më pas të dërgohet për miratim në seancë plenare.





Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika