Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë për rastin e vrasjes së policit, Lirim Haxholli, në një aheng ku morën pjesë edhe 14 policë të tjerë. Për këtë rast, Prokuroria po e akuzon policin Fatlum Mehmeti, të cilit i ka ngritur aktakuzë për vrasje.
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj policit Fatlum Mehmeti për vrasjen e kolegut të tij, Lirim Haxholli.
Prokuroria këtë rast e ka cilësuar si vrasje dhe jo si vrasje nga pakujdesia.
Haxholli kishte mbetur i vrarë në shkurt të këtij viti, në një aheng ku morën pjesë edhe 14 policë të tjerë.
Ngritjen e aktakuzës për vrasje ndaj Fatlum Mehmetit, e ka konfirmuar për Radio Televizionin Dukagjini, zëdhënësja e Themelores së Prishtinës, Laureta Ulaj.
“Ju informoj se më 19.10.2022, prokurori i çështjes në Departamentin e Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë kundër F.M, për veprën penale “Vrasja”, nga neni 172 lidhur me nenin 21, paragradi 3 të KPRK-së”, ka thënë Ulaj.
Radio Televizioni Dukagjini ka raportuar gjatë javës se prokurori i rastit ishte në pritje të ekzaminimit të fundit para ngritjes së kësaj aktakuze.
Rasti ndaj 14 policëve të tjerë, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar se është veçuar.
Lënda e tyre përmban dyshime për veprat penale përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe moslajmërim i veprës penale.
Të gjithë policët që morën pjesë në këtë aheng, që prej shkurtit vazhdojnë të jenë të suspenduar nga Inspektoriati Policor i Kosovës.