Dy dhanë dorëheqje dhe një tjetër u shkarkua. Brenda 24 muajve, Komuna e Fushë Kosovës, tani është bërë me drejtorin e katërt në Drejtorinë e Arsimit.
Samir Shahini, ka qenë i fundit që dha dorëheqje nga kjo pozitë, vendim të cilin e arsyetoi me shkaqe personale, por siç shkroi ai, pak edhe profesionale.
I kontaktuar nga televizioni, Shahini, tha të mos ketë pasur ndikime nga kryetari i komunës, por nga eksponentë të tjerë.
Por, diçka tjetër po thotë asambleisti nga radhët e PDK-së, Mirsad Qyqalla.
“Normal përgjegjës për këtë pjesë duhet të jenë udhëheqësia, konkretisht kryetari aktual pasi një vit më parë ai u deklarua se nuk po mundet me gjetë një menaxher të mirë por është absurde me mendu që në një qytet me 70 mijë banor mos me qenë një i mirë”, ka thënë Qyqalla.
Ndërsa, asambleisti nga Lëvizja Vetëvendosje po hedh disa akuza të tjera për arsyet e gjithë këtyre dorëheqjeve.
“Për shkak të mos efikasitetit në punë sa i përket arsimit në komunën e Fushë Kosovës duke i pasur parasysh edhe punësimet në konkurset publike, premtimet elektorale, punësimet e militantëve dhe mos koordinimet me partnerët e koalicionit”, ka theksuar Hasani nga Vetëvendosje.
Para Samir Shahinit dorëheqje nga e njejta pozitë kishte dhënë edhe Islam Shabani por me arysyetim më direkt duke thënë që ka pasur mospajtime me kryetarin e Fushë Kosovës, Burim Berisha.
E para Shabanit, nga po e njëjta pozitë ishte shkarkuar Adnan Bullatovci duke mos u dhënë asnjë arsye nga komuna e Fushë Kosovës.
Drejtor i arsimit aktual është zgjedhur Fadil Krasniqi, por në ueb-faqen e komunës, si kryetar figuron ende Samir Shahini.