Të shtunën e 16 prillit, në veri të Kosovës, përkatësisht në Sharpej të Jarinjës, sërish kanë ndodhur sulme drejt Policisë së Kosovës.
Sipas njoftimit të policisë, kësaj radhe, bëhet fjalë për dy shpërthime që dyshohet të jenë nga mjete piroteknike.
“Shpërthimet kanë ndodhur afër veturës së policisë e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë. Nga shikimi i vendit të ngjarjes është vërejtur se në xhamin e veturës policore ka mbetur një copë letre (dyshohet mbështjellës i mjeteve piroteknike)”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas njoftimit të tyre, ngjarja ka ndodhur në një pjesë që është afër territorit të Serbisë dhe dyshimi i bazuar është se këto mjete janë hedhur nga territori i Serbisë.
Kur ka ndodhur sulmi, Policia e Kosovës ka qenë duke monitoruar një rrugë ilegale të mbyllur kohë më parë, e cila përdorej për kontrabandë të mallrave.
Nga ky rast, nuk ka persona të lënduar as dëme materiale.
Përgjegjësit e sigurisë kanë theksuar se janë duke e trajtuar rastin, ndërsa aktivitetet operative do të vazhdojnë ofrimin e sigurisë dhe parandalimin e akteve kriminale transkufitare në zonën përkatëse.
Në mëngjesin e së premtes, përmes një konference të jashtëzakonshme, Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla bashkë me Drejtorin e Policisë, Samedin Mehmeti, kanë bërë të ditur se dy vetura të Policisë së Kosovës, të cilat po bartnin zyrtarë policorë për në pikat kufitare në veri, janë sulmuar me armë automatike dhe granatë dore.
Ky sulm, sipas Sveçlës, ishte sulm terrorist i orkestruar që kishte për shënjestër lëndimin e policëve.
Por, përveç këtyre sulmeve, ai bëri të ditur se brenda katër ditësh kanë ndodhur katër sulme që lidhen me njëra-tjetrën.
Sveçla theksoi se këto sulme vijnë si pasojë e luftës ndaj krimit, korrupsionit dhe kontrabandës që po e luftojnë bashkë me Policinë e Kosovës.
Ai tha se sulmi dyshohet të ketë ardhur nga territori i Serbisë.
Policia sulmohet me armë dhe granata, Sveçla e quan akt terrorist