Dogana e Kosovës ka njoftuar se raporti për Kosovën i Komisionit Evropian ka pasqyruar përparime të shumta në fusha të rëndësishme.
Sipas Doganës së Kosovës, përtej sfidave të identifikuara ndër vite, raporti i fundit i Komisionit Evropian nuk ka identifikuar ndonjë sfidë të re, por i njëjti ka gjetur progres të theksuar në fusha shumë të rëndësishme.
“Raporti thekson se Dogana e Kosovës gjatë periudhës raportuese së bashku me agjencionet e tjera të zbatimit të ligjit ka bërë përparim në luftimin e llojeve të ndryshme të kontrabandës, përfshirë këtu edhe parandalimin, shtypjen dhe ndjekjen e kontrabandës së narkotikëve, sikurse që është theksuar se ka rritje domethënëse në aktivitete të orientuara drejt luftimit të ekonomisë joformale dhe evazionit fiskal, duke konkluduar se Dogana e Kosovës dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit bashkëpunojnë mirë për të luftuar informalitetin dhe mashtrimet doganore”, thuhet në komunikatën për media.
Siç theksohet në njoftim, bazuar në aktivitetin e Doganës së Kosovës është arritur që të shkarkohen 10 zyrtarë dhe të suspendohen 12 zyrtarë tjerë.
Po ashtu, potencohet se raporti ka theksuar si gjetje pozitive edhe nënshkrimin e marrëveshjes për programin ‘Doganat’, i cili mbështet bashkëpunimin ndërmjet autoriteteve doganore në BE, si dhe nënshkrimin e marrëveshjes për kontrollin e përbashkët në transportin në hekurudha me Doganën e Maqedonisë së Veriut.
“Në lidhje me sfidat e adresuara ndër vite për pagesat për përdorimin e terminaleve, raporti ka adresuar progresin e bërë me hapjen e terminalit të parë publik, ndërsa që progresi i mëvonshëm nuk është raportuar ende në raport dhe do të pasqyrohet në raportet e ardhshme” thuhet në kumtesë.
Ngjashëm, raporti pasqyron progresin në fushën e zbatimit të masave doganore për mbrojtjen e të drejtave të Pronësisë Intelektuale, duke njohur progresin e bërë në fushën e inspektimeve kundër piraterisë dhe falsifikimit në krahasim me vitin 2020 ku ka pasur dukshëm më pak inspektime, kjo edhe për shkak të pandemisë.
Po ashtu, në këtë raport është cekur se legjislacioni për masat e DPI dhe kontrollet e eksportit për mallrat kulturore është në përputhje me acqui të BE-së.
“Ky vlerësim është i rëndësishëm pasi konfirmon rezultatet dhe qasjen strategjike, ndërsa që Dogana mbetet e përkushtuar për të adresuar të gjitha sfidat e procesit integrues, por duke pasur referencë kryesore efikasitetin në misionin dhe përgjegjësinë që ka Dogana kundrejt qytetarëve dhe ekonomisë së vendit”.
Ndryshe, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka qenë pjesë e tryezës së diskutimit “Agjenda Evropiane 2022”, që u mbajt në bashkëpunim me ambasadorin e Gjermanisë, Jörn Rohde, ambasadorin e Republikës së Çekisë, Pavel Bilek, përfaqësues të zyrës së BE-së në Kosovë, anëtarë të komisionit parlamentar për Integrim Evropian dhe pjesëmarrës nga shoqëria civile.
Gjatë këtij diskutimi Bislimi kishte vlerësuar punën dhe të arriturat e Kosovës që raporti i KE-së u jep theks të veçantë. Ai më tej ka shtuar se raporti i fundit është ndër më të mirët me të cilin Kosova është nderuar ndonjëherë.
“Raporti për vendin 2022 i Komisionit Evropian, është ndër më të mirët ndonjëherë për Kosovën dhe ndër më të mirët në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, kishte shkruar Bislimi.
Ai kishte thënë se raporti e vlerëson punën e qeverisë dhe stabilitetin politik, megjithatë, sipas tij ky raport për herë të parë është konservativ për ndërhyrjet politike në institucionet publike.
“Për herë të parë, raporti për vendin është konservativ për ndërhyrjet politike, pra nuk ka vlerësim ku thuhet që ka ndërhyrje apo vullnet për ndërhyrje politike në institucionet publike”, ishte shprehur Bislimi.
Gjithashtu, Bislimi ka vlerësuar sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe ka shtuar se këto duhet të jenë dy fusha në të cilat duhet të vlerësohemi për maturitetin evropian.