Angazhimi i shtuar ndërkombëtar me synim parësor “ruajtjen e stabilitetit”, sipas ish-koordinatorit për dialog, Skender Hyseni, duhet të shfrytëzohet për të çuar tutje procesin e konsolidimit të shtetit.
Sipas tij, vizitat e shpeshta në rajon ditëve të fundit të emisarit amerikan për rajonin, Gabriel Escobar, janë tregues të saktë të përkushtimit të shtuar amerikan për Kosovën dhe stabilitetin në Ballkan.
Lidhur me këtë, Hyseni ka hedhur kritika mbi qëndrimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në raport me bisedimet me Serbinë.
Sipas tij, Kurti po sillet me indiferencë dhe papërgjegjësi tani kur sipas tij, ka koordinim “më sistematik” mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përmbylljen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Është, pra kjo një rrethanë të cilën Qeveria e Kosovës dhe Kurti duhet ta shfrytëzojnë për të çuar tutje procesin e konsolidimit të shtetit! Nëse Kurti vazhdon të sillet me indiferencë dhe papërgjegjësi, pasojat për Kosovën dhe qytetarët e saj do të jenë tepër të mëdha”, ka shkruar Hyseni në Facebook.
Siç ka theksuar Hyseni, Qeveria e Kosovës duhet të respektojë kërkesën e emisarit amerikan që sipas tij duket se është kërkesë edhe e gjithë Quintit, dhe të shtyjë implementimin e vendimit për targat, duke lënë hapur rrugën për marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila çështjen e targave dhe shumë problemeve të tjera i zgjidh me automatizëm.
“Nuk mund ta di nëse qeveria do ta pranojë kërkesën e Escobar, por ajo që di është se rekomandimet dhe kërkesat dashamirëse amerikane dhe evropiane duhet të përfillen dhe respektohen plotësisht! Nëse kjo nuk ndodh, pasojat për Kosovën do të jenë të mëdha”, shtoi ai.
“Është e pafalshme nëse kjo Qeveri rrezikon partneritetin me SHBA-të dhe partnerët e tjerë në perëndim me veprime infantile e populliste, siç është fundja edhe kjo loja me target”.
Ai ka potencuar se është thelbësore që krerët të përmbahen nga çdo veprim aventuresk, të cilin Serbia do ta përdorë si pretekst për ruajtjen e sataus-quosë për ikje nga një marrëveshje gjithëpërfshirëse, si dhe për krijimin e epërsisë diplomatike.
Ndryshe, në paraqitjen e përbashkët mes Gabriel Escobarit dhe Kryeministrit Albin Kurti, nuk kishte ndonjë mesazh të qartë sa i përket afateve për marrëveshjen finale në mes Kosovës dhe Serbisë.
Por, porositë që diplomati amerikan solli në Kosovë, u bënë të qarta kur Gabriel Escobar pati një paraqitje mediale.
Ai tha se marrëveshja mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të përfundojë sa më shpejt, për çka kërkoi nga BE-ja që të vendosë afate kohore.
Ndërkohë, qasja konkrete e Gabriel Escobar duket befasuese për një anëtar të shoqërisë civile nga radhët e komunitetit serb.
Sipas tij, ShBA-ja kurrë nuk do të merrte një vendim që do të ishte në kundërshtim të Kosovës.
“Unë isha shumë i befasuar që dëgjova atë deklaratë, sepse për opinionin tim, marrëveshja finale nuk duket aq afër, ndoshta ai i referohet marrëveshjeve të brendshme mes shteteve. Serbia ende nuk ka një qeveri, javën tjetër do të ketë formim të institucioneve për çka nuk mendoj që dakordimi mes palëve do të mund të bëhej shpejt. Çdo gjë që është e mirë për Kosovën, ShBA e përkrah dhe asnjëherë nuk do të merrte një vendim në kundërshtim me atë”, ka thënë Ognjen Gogiq nga shoqëria civile.
I dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor ka kërkuar që të shtyhet afati prej 10 muajsh për konvertimin e targave ilegale në RKS.
E për këtë, përgjigje ka dhënë vetë zyra e kryeministrit duke thënë se nuk është koha e shtyrjeve të afateve, por koha që të promovohet sundimi i ligjit.
Mirëpo, kjo nuk është kërkesa e vetme e Escobar. Ai po ashtu ka propozuar që njohja nga Serbia të mos vijë në fillim të marrëveshjes, duke iu referuar se e përkrahin propozimin e Francës dhe Gjermanisë.
Ndonëse për këtë çështje nuk kanë pranuar që të përgjigjen nga zyra e kryeministrit, një deputete e Vetëvendosjes ka thënë se marrëveshja finale do të jetë më e mira për qytetarët e Kosovës.