40 familje skamnore u bënë këtë vit me shtëpi në në Mitrovicë.
Por, ndonëse humanisti Halil Kastrati ka përfunduar ndërtimin e shtëpive, banorët nuk po mund t’i shfrytëzojnë ato plotësisht për shkak të mungesës së energjisë elektrike.
Këto shtëpi akoma nuk janë lidhur në rrjetin e KEDS-it.
Fata Mehmeti e cila është e vendosur tash e shtatë muaj në shtëpinë e re, tregon se si pasojë e mungesës së rrymës ka pësuar një aksident.
“Që 7 muaj jam këtu, prej marsit, me 10 mars e kom pranu çelësin. Shikoje çka më ka bo mu rryma që kur erdhën me i ngjitë kabllat e rash atje poshtë. Më ka ardh keq me u anku e dhimbjen e kom majt vet”, ka thënë banorja Fata Mehmeti.
Sami Sherifi i ka pranuar çelësat e shtëpisë pak më vonë se Mehmeti.
Por, ai thotë se mungesa e rrymës më së shumti po u shkakton problem shkollimit të fëmijëve të tij.
“Ma shumë nuk shkojnë se sa që shkojnë, se s’ki kushte s’ki kurrgjë badihava. Kur s’ki ku shkon duhesh me nejt me zor se s’ki çka bon”, ka thënë Sami Sherifi.
Në këtë situatë, një tjetër banori të lagjes frika i shtohet çdo ditë me afrimin e dimrit.
“Dimri veq sa ia filloi me ardhë, rryma s’është asnkund tu u ndreq, kështu që 3 muaj ditë jemi këtu në këtë lagje që jena ardhë prej se i kena marrë çelësat na jemi tu banu qitu pa rrymë elektrike pa kurgjo hiq…Komuna na ka premtu shporet na ka premtu dru ato sjon askund hiç”, ka thënë një tjetër banor, Afrim Simili.
KEDS-i nuk u është përgjigjur pyetjeve të televizionit rreth kësaj çështjeje. Ndërsa komuna e Mitrovicës thotë se problemi presin këto shtëpi të kyçen këtë javë në rrjetin e energjisë.
“Kemi pas komunikime, kemi pas takime pune edhe me KEDS-in i cili është përgjegjës për rrjetin në këtë lagje po edhe në krejt Kosovën. Ata janë duke punu me një intisivitet të lartë këto ditë dhe pres dhe në bazë komunikimit me ta që kemi që në këtë fundjavë më së largu deri në fillim të javës tjetër të përfundohet shtrirja e plotë dhe përfundimisht të zgjedhet ky problem”, Arian Tahiri, Nënkryetar i Mitrovicës.
Përveç shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, bashkëfinancues të këtyre shtëpive janë edhe komuna e Mitrovicës dhe organizata “Qatar Charity”.