Samiti i ardhshëm ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, do të mbahet më gjashtë dhjetor të vitit 2022, në Tiranë.
Kështu ka njoftuar, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter.
“Ne do të mbajmë samitin e ardhshëm BE – Ballkan Perëndimor në rajon, më 6 dhjetor në Tiranë, Shqipëri për të riafirmuar angazhimin tonë të përforcuar”, ka shkruar Michel.
Sipas tij, Ballkani Perëndimor është një nga prioritetet kyçe për Bashkimin Evropian.
“BE-ja dhe Ballkani Perëndimor kanë nevojë për njëri-tjetrin”.
We will hold the next #EU #WesternBalkans summit in the region – on 6 December in Tirana, Albania 🇦🇱 to reaffirm our reinforced engagement.
Western Balkans are a key priority for the European Union.
The EU and the Western Balkans need each other.@ediramaal
— Charles Michel (@CharlesMichel) October 23, 2022
Ndryshe, në samitin e BE-së që u zhvilluar më 23 dhe 24 qershor të këtij viti në Bruksel, udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit ishin ankuar për mungesën e progresit në ofertat e tyre për t’u bashkuar me BE-në para vendimit të unionit për t’i dhënë Ukrainës dhe Moldavisë statusin e kandidatit.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, përshëndeti dhënien e statusit të kandidatit për Ukrainën dhe Moldavinë, por tha se ata nuk duhet të kenë iluzione.
Ai vuri në dukje se Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit kanë pasur statusin e kandidatit prej vitesh, Maqedonia e Veriut që nga viti 2005 dhe Shqipëria që nga viti 2014.
Rama dhe krerët e pesë vendeve të tjera të Ballkanit që kërkojnë anëtarësimin në BE – Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – u takuan në samit në Bruksel, me krerët e BE-së për katër orë përpara njoftimit për dhënien e statusit të kandidatit për Ukrainën dhe Moldavinë.
Në konkluzat e samitit nuk përmendej liberalizimi i vizave për Kosovën.
Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalimit në samit, kishte kërkuar që procesit të liberalizimit të vizave t’i jepet fund, duke theksuar se kjo çështje “ka shkuar shumë larg”.
“Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më pro-evropian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej katër vjetësh. Ata mbeten të izoluar në zemër të kontinentit ku jetojnë”, tha ajo, duke shtuar se është e vetmja lidere në këtë samit që është dashur të pajiset me vizë për të marrë pjesë në të.
Osmani tha pas përfundimit të Samitit se ka dëgjuar shumë deklarata pozitive për Kosovën nga liderët e BE-së.