Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përshëndetur vendimin e presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, për organizimin e Samitit BE-Ballkani Perëndimor, më 6 dhjetor në Tiranë.
Ndër të tjera, Rama ka thënë se Tirana nuk është më ajo e disa viteve më parë, por është kryeqyteti i një vendi të respektuar në politikën ndërkombëtare, si dhe një qytet i ri evropian tërheqës për zhvillimin e tij mbresëlënës.
“Nuk besoj se mund ta imagjinonte kush deri disa vite më parë, që tërë liderët e BE-së do të zbrisnin në Tiranë, për një punë që gjithnjë është bërë në Bruksel”, ka shkruar Rama në Facebook.
Sipas tij, për historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë, kjo është një ngjarje absolutisht historike dhe se për Tiranën kjo është ngjarja më e madhe ndërkombëtare e historisë së saj.
“Për vitin 2022 që po shkon drejt përfundimit, kjo ngjarje është qershia mbi tortë pas kulmit të bukur të Finales së UEFA Conference League në shtëpinë e kuqezinjve”.
Për Ramën, organizimi në Tiranë i një samiti të liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor është fruti më i bukur i përpjekjes për afirmimin e Shqipërisë, si një zë i respektuar dhe anëtar dinjitoz i bashkësisë ndërkombëtare.
Ndryshe, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, ka thënë se Samiti i ardhshëm ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, do të mbahet më gjashtë dhjetor të vitit 2022, në Tiranë.
“Ne do të mbajmë samitin e ardhshëm BE – Ballkan Perëndimor në rajon, më 6 dhjetor në Tiranë, Shqipëri për të riafirmuar angazhimin tonë të përforcuar”, ka shkruar Michel.
Sipas tij, Ballkani Perëndimor është një nga prioritetet kyçe për Bashkimin Evropian.
Samiti i ardhshëm midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të mbahet më 6 dhjetor në Tiranë