Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi me rastin e fillimit të Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit, i ka falënderuar mediat dhe shoqërinë civile për kontributin e tyre në lidhje me rastet e dhunës në përgjithësi dhe sidomos për ato seksuale.
“Ne misionin tonë për forcimin e shtetit ligjor, partnerë të veçantë kemi pasur dhe dëshirojmë t’i kemi mediat, të cilat dua t’i falënderoj për të gjitha ato raste të cilat i kanë hulumtuar dhe publikuar, ku shumë prej tyre janë bërë objekt i hetimeve nga ana e institucionit të Prokurorit të Shtetit”, ka deklaruar Kelmendi.
Kelmendi është shprehur se me punën e tyre do t’ua mundësojnë të gjitha viktimave të dhunës proces të drejtë gjyqësor.
“Kështu ne do tua mundësojmë të gjithë viktimave një proces të drejtë dhe do t’ju sigurojmë një jetë normale në frymën e paqes, lirisë dhe prosperitetit”, ka thënë ai.
Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ka dhënë detaje edhe për statistikat për ndihmën e dhënë nga Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave.
“Dua të theksojë së vetëm gjatë nëntë mujorit të vitit 2022, Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ka ofruar ndihmë për 2163 raste të viktimave të të gjitha kategorive. Po ashtu mbrojtësit e viktimave kanë marrë pjesë në 2148 seanca gjyqësore dhe 578 seanca në prokurori”, ka deklaruar U.D së kryeprokurorit.
Ai ka bërë të ditur se për shkak të rritjes rasteve të dhunimeve dhe ngacmimeve seksuale janë caktuar edhe prokurorë koordinator për veprat penale kundër integritetit seksual.