Policët që patrullojnë në Çabër, për detyrë kryesore e kanë sigurinë e fshatit. Pak kilometra tutje është kufiri me Serbinë, por për këtë pjesë përkujdeset dikush tjetër. Deri të mbërrish në këtë pjesë, ushtarë të KFOR-it janë të stacionuar përgjatë gjithë rrugës. Me t’iu afruar kufirit përgjatë Liqenit të Ujmanit, ndryshon relievi e po ashtu uniforma e atyre që përkujdesen për sigurinë.
Në kuadër të Policisë Kufitare së fundmi është krijuar NJNS, Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë. Të njëjtit patrullojnë vazhdimisht në këtë pjesë. Të përgatitur, të armatosur e me vetura të blinduara.
Para se të dalin në terren, fillimisht e kontrollojnë rrugën kryesore, pasi sigurohen, vjen sinjali për dalje nga baza. Përgjatë gjithë gjatësisë së Liqenit të Ujmanit lëvizin paralelisht, në koordinim e kontroll të rreptë të sigurisë. Rastis që pas tyre të jenë edhe automjete të EULEX-it, po ashtu me mision të njëjtë. Përpos perimetrit të rrugës që të dërgon për një kufi, NJNSH-ja kryen edhe kontrolle rutinore.
Me raste kontrollojnë më detajisht. Prania e Policisë së Kosovës dhe njësive të KFOR-it ka shtuar sigurinë në këtë pjesë. Kur jemi 7 ditë larg zbatimit të vendimit për heqjen e targave ilegale, shqiptarët e kësaj zone urojnë që të mos ngritën tensione e të bllokohen rrugët.
“Në të kaluarën ne të gjithë kemi qenë dëshmitarë dhe e kemi parë që ka pasur bllokim të rrugëve. Shpresoj që kësaj radhe nuk do të ketë, por do të shohim”, deklaron Sefer Veseli, banor i Fshatit Çabër.
Njëjtë flet edhe Ismajl Zuka i cili thotë se “Nuk ka qenë situatë e mirë kur janë bllokuar rrugët. Popullata e merrke njëfarë stresi edhe atëherë nuk ishim shumë të informuar. Por kur e dinim që rrugët janë liruar atëherë ndjeheshim më të sigurt.
Më pak të interesuar të flasin për çështjen e targave u treguan serbët.
“Për tani për aq sa dimë, shumë pak janë lajmëruar, se si do te jetë kjo, atë e dinë vetëm politikanët”, deklaroi Bogdan Begoviq, për RTV Dukagjinin.
Edhe kur është në pyetje regjistrimi i veturave nga targat ilegale në “RKS”, mungon interesimi. Ministria e Brendshme thotë se propaganda e Serbisë dhe e strukturave paralele ka bërë që të mungojnë rezultatet, derisa janë të vendosur që të mos shtyjnë afatin e konvertimit të targave.
“Ju informojmë se deri më tani 15 qytetar i kanë konvertuar targat e automjeteve nga targat ilegale në të rregullta RKS: Liria e lëvizjes, barazia por edhe sundimi i ligjit janë prioritet tona. Ndërkohe, ne do të vazhdojmë fushatën intensive anembanë Kosovës që deri me 31 tetor ky proces të përmbyllet”, thuhet nga MPB.
Qeveria e Kosovës deri më 31 tetor por Bashkimi Evropian po kërkon edhe 10 muaj kohë.
“Kjo zgjatje e afatit do të lejonte kampanjë më substanciale dhe gjithëpërfshirëse për popullsinë e prekur. Eskalimi në tension dhe potencialisht dhunë në veri të Kosovës, duhet të evitohet. Kjo është veçanërisht me rëndësi shkaku i kontekstit aktual gjeo-politik, në kuptimin e ruajtjes së stabilitetit në rajon”, përcillet në përgjigjen e Zyrës së Peter Stanos, Zëdhënës i BE-së.
Zgjatje të afatit për heqjen e targave ilegale po kërkojnë edhe pjesëtarë të shoqërisë civile në Mitrovicën Veriore.
“Njëra nga zgjidhjet do të ishte të zgjatet afati i përcaktuar, të paktën për disa muaj. Periudhë kjo që do të shërbente të intensifikohen bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, deri në arritjen e një zgjidhje me kompromis. Cilado do të jetë ajo”, deklaroi Milodrag Miliqeviq, drejtor ekzekutiv në OJQ “Aktiv”.
Miliqeviq thotë se duke parë qëndrimet e të dyja palëve duhet një zgjidhje e pranueshme, përndryshe rrezikohet situata e sigurisë.