Kryeministri në detyrë i qeverisë malazeze, Dritan Abazoviq, ka thënë se është jashtëzakonisht i kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve lokale, duke shtuar se Mali i Zi e ka bërë një hap të jashtëzakonshëm demokratik.
“Jam jashtëzakonisht i kënaqur, madje edhe pak i befasuar, përtej pritjeve të mia. Mendoj se Mali i Zi në përgjithësi, po shkon në drejtimin e duhur dhe se skena politike është de-monopolizuar. Kjo është ajo që ne po kërkonim”, ka thënë Abazoviq për RTCG.
Ai beson se njerëzit janë çliruar ndjeshëm në krahasim me periudhën e mëparshme, dhe se sistemi i shpërblimit dhe ndëshkimit do të funksionojnë në të ardhmen.
“Kjo është shumë e rëndësishme për zhvillimin e qenies sonë demokratike dhe që Mali i Zi të ndryshojë për mirë çdo ditë”, ka shtuar Abazoviq.
Ndryshe, zgjedhjet lokale u mbajtën të dielën, në 14 komuna në Mal të Zi.