Një burrë iranian i quajtur nga mediat si “njeriu më i ndyrë në botë”, ka vdekur në moshën 94-vjeçare, vetëm disa muaj pasi pastroi vetën për herë të parë pas disa dekadash.
Amou Haji kishte refuzuar të përdorte sapun dhe ujë për më shumë se gjysmëshekulli, nga frika se do të sëmurej.
94-vjeçari, i cili jetonte në Iranin jugperëndimor, më saktësisht në provincën Fars, kishte shmangur përpjekjet e mëparshme të banorëve për ta pastruar atë.
Por, mediat lokale thonë se Amou Haji më në fund iu nënshtrua presionit dhe u pastrua disa muaj më parë.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA, ai u sëmur pak më vonë dhe ka vdekur të dielën.
Në një intervistë të mëparshme, në vitin 2014, ai zbuloi se ushqimi i tij i preferuar ishin porcupinët, dhe se jetonte mes një vrime në tokë dhe një kasolle me tulla të ndërtuara nga fqinjët e shqetësuar në fshatin Dejgah.
Lëkurën, ai e kishte të mbuluar me “blozë dhe qelb”, ndërsa, dieta e tij përbëhej nga mishi i kalbur dhe uji johigjienik i pirë nga një kanaçe e vjetër vaji, raporton BBC.
Gjithashtu, ishte bërë e ditur se ai ishte i dhënë pas duhanit, ai ishte fotografuar duke pirë më shumë se një cigare në të njëjtën kohë.
Përpjekjet për ta larë atë, ose për t’i ofruar ujë të pastër për të pirë, e kishin trishtuar atë.