Si çdo të martë, edhe sonte pati përformancë live në emisionin “Super 3nd” me Drilonën dhe Mirdonin në Radio Dukagjini.
Kësaj here e ftuar ishte një artiste e re dhe shumë e talentuar, me një zë mjaft të veçantë. Leana Kërveshi është vetëm 19 vjeçare, mirëpo muzika është pasion i saj për gati një dekadë.
Ajo tregoi se me muzikë merret që nga mosha 10 vjeçare, dhe se tani studion audioproduksion në mënyrë që përveç këngëtare, të mund të ushtrojë edhe profesionin e producentes.
Kërveshi deklaroi se nuk bën muzikë nëpër bare, pasi kjo kërkon një përkushtim tjetër, është një drejtim që mësohesh me të dhe nuk tenton të depërtosh në pjesë tjera.
Ajo ka bërë të ditur se ka shumë këngë të shkruara dhe të realizuara, por të papublikuara, por ka shtuar se së shpejti do të mund të dëgjojmë një nga këngët e reja të saj.
Në ndërkohë ajo punon edhe covera të këngëve të artistëve tjerë që zakonisht i publikon në instagramin e saj, e të cilat sipas saj, priten shumë mirë nga publiku.
Zhanri i saj i preferuar i muzikës është pop alternative ose RnB, mirëpo thotë se është shumë e vështirë të krijosh një karrierë, pasi artistët e rinj duhet t’i ndjekin e lusin producentët për bashkëpunim, e madje të paguajnë edhe shuma të mëdha parash.
Për këtë arsye Leana ka theksuar se në të ardhmen synon të bëhet një producente që ka ndikim në Kosovë, pasi nuk ka producente femra në vendin tonë.