Dardan Krivaqa e Arbër Sejdiu, të akuzuarit për dhunimin dhe vrasjen e 18-vjeçares nga Ferizaji, Marigona Osmani nuk kanë pranuar fajësinë për veprat që ngarkohen nga Prokuroria Themelore në Ferizaj.
I akuzuari kryesor për dhunimin dhe vrasjen e 18-vjeçares, Dardan Krivaqa, kur është pyetur nga trupi gjykues se a e pranon fajësinë ka shprehur ngushëllime për familjen dhe ka thënë se i vjen keq, por ajo çka është e përshkruar në aktakuzë sipas Krivaqës, nuk është e vërtetë dhe nuk ka ndodhur ashtu.
Për këtë rast deri më tash është mbajtur seanca fillestare.
Marigona Osmani është dhunuar seksualisht e fizikisht deri në vdekje gushtin e vitit të kaluar.
Ndërkaq, më 14 korrik, i pandehuri Dardan Krivaqa, i cili akuzohet për vrajsen e 18-vjeçares, Marigona Osmani, para trupit gjykues në Gjykatën Themelore të Ferizajt ka nisur të qajë teksa i është lexuar aktakuza ndaj tij dhe ka thënë se nuk është në gjendje të flasë.
Megjithatë, ai ka theksuar se nuk ndihet as i fajshëm por as i pafajshëm për veprën e kryer.
“Nuk jam në gjendje, nuk mund të flas. S’po them as që jam i fajshëm as i pafajshëm, nuk do të deklarohem në këtë fazë”, kishte thënë Krivaqa.
Në anën tjetër, i pandehuri Arbër Sejdiu, ishte deklaruar i pafajshëm.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, më 22 gusht 2021, të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, me dashje dhe në bashkëkryerje e kanë privuar nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmanin.
Në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1,3, 1,4 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, për të pandehurin Krivaqa ekziston dyshimi i bazuar se ai ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, paragrafi 4, nënparagrafi 4.1 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Ndërsa, thuhet se i pandehuri Arbër Sejdiu, me dashje i ka ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaqa, në kryerjen e veprës penale të dhunimit. Me çka akuzohet se kreu veprën penale “Ndihmë në kryerjen e dhunimit” nga neni 227, paragrafi 4, nënparagrafi 4.1 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 33 të KPRK-së.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhej në njoftim.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, të martën e 28 qershorit ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të cilët gjenden në paraburgim nga muaji gusht 2021, lidhur me rastin e vrasjes së Marigona Osmanit.