Ajri i ndotur, shkaktar i shumë patologjive që ndikojnë në shkurtimin e jetëgjatësisë

Ajri është një ndër faktorët kryesor i cili ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e njeriut, ndërsa ndotja e tij shkakton sëmundje të ndryshme. Pulmulogu Besim Morina ka thënë që disa nga patologjitë më të shpeshta të cilat shkaktohen nga ndotja e ajrit janë astma bronkiale, bronkiti kronik, laringjitet si dhe sëmundjet kanceroze të mushkërive dhe rrugëve të frymëmarrjes

Foto ilustrim

Degradimi i ajrit është rezultat i kombinimit të një kokteji ndotës i cili përbëhet nga grimcat apo substancat e tjera të cilat përfshijnë ndër të tjera edhe gazet, si dioksidi i karbonit, monoksidi i karbonit, oksidet e nitratit, metani e substanca të tjera.

Ndotja e ajrit mund të shkaktojë sëmundje, alergji madje edhe vdekje njerëzish, gjithashtu mund të shkaktojë dëme në organizmat e tjera të gjalla si kafshët dhe prodhimet ushqimore, dhe mund të dëmtojë mjedisin natyral ose të ndërtuar.

Disa nga sëmundjet të cilat mund të shkaktohen si rezultat i ndotjes së ajrit i ka shpalosur pulmologu, Besim Morina në një intervistë për portalin Dukagjini.

“Edhe pse çdo ind e organ i trupit mund të dëmtohet nga ndotja e ajrit, organet e frymëmarrjes dhe zemra me enët e gjakut janë më të prekurat. Kështu sëmundjet më të shpeshta të frymëmarrjes që lidhen me ndotjen janë Astma bronkiale, Bronkiti kronik, Laringjitet si dhe sëmundjet kanceroze të mushkërive e rrugëve të frymëmarrjes. Një nga shkaktarët kryesor të rritjes së numrit të rasteve të Astmës e Bronkitit te fëmijët dhe te të rriturit mendohet të jetë pikërisht thithja e ajrit të ndotur”, ka thënë ai.

Foto ilustrim

Ndërsa ka shtuar se janë një grup i madh i sëmundjeve të zemrës dhe enëve të gjakut të cilat lidhen me ndotjen e ajrit, duke përmendur sëmundjet iskemike të zemrës përfshirë Infarktin, sëmundjet e enëve të gjakut të ekstremiteteve e kokës, pamjaftueshmëria e sëmundje të tjera.

I pyetur se sa ndikon ndotja e ajrit në shëndetin e njeriut, ai ka thënë që tek njerëzit e shëndoshë mund të shkaktojë sëmundje ndërsa tek të sëmurit mund t’i përkeqësojë ato.

“Ndotja e ajrit vepron duke shkaktuar sëmundje tek njerëzit paraprakisht të shëndoshë, ose duke i keqësuar sëmundjet para ekzistuese, kështu për shembull, pacientë me Astmë dhe ata me Bronkit, në rast të ekspozimit në një ajër më të ndotur, mund të zhvillojnë përkeqësim të sëmundjes, kërkesë për shtim të terapisë apo paraqitje të nevojës për hospitalizim. Janë të shumta studimet që përveç të tjerave tregojnë për ndikimin e ajrit në shkurtimin e jetëgjatësisë”, ka theksuar Morina.

Por sipas pulmulogut Morina, cilat janë masat që duhet të ndërmarrin qytetarët kur ajri është i ndotur?

“Njerëzit që jetojnë në vendet me ajër të ndotur kanë pak mundësi t’i parandalojnë efektet e dëmshme të ndotjes, pasi që maskat apo mjetet tjera janë të paefektshme. E vetmja mundësi është që në ditët apo orët me nivele të larta të ndotjes (muajt e ftohtë të vitit, orët e pikut të ndotjes nga ngrohja e trafiku, mjegulla etj.) të evitojnë daljen e panevojshme jashtë dhe të qëndrojnë brenda ne mënyrë që t’i iket ekspozimit ndaj ajrit të ndotur”, është shprehur ai.

Sfida më e madhe me të cilën është përballur mjekësia dhe populli në dy vitet e fundit padyshim që është COVID-19, por sa ndikon ndotja e ajrit në rikthimin e këtij virusi?

“COVID-19 te shumë njerëz ka shkaktuar një gjendje komplekse të quajtur si Sindroma post covid apo Covidi i zgjatur, i cili ndër të tjera karakterizohet edhe me simptoma respiratorë si dhimbje gjoksi, frymëzënie, kollë kronike, këlbazë e fishkëllima gjatë frymëmarrjes. Pikërisht, ky grup i personave janë me të ndjeshmit nga efektet e dëmshme të COVID-19. Çdo përkeqësim i kualitetit të ajrit reflektohet drejtpërdrejt në shfaqjen dhe përkeqësimin e simptomave të frymëmarrjes”, ka potencuar Morina.

Duke e ditur që ndotësi më i madh i ajrit në Kosovë është Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Komuna e Obiliqit afërsisht para dy vitesh ka pasur një tender për blerjen e një mjeti lëvizës të specializuar i cili mat cilësinë e ajrit, andaj drejtoresha për Mbrojtje të Mjedisit në këtë komunë, Fitore Hasani e pyetur për gjendjen aktuale të këtij mjeti ka thënë që Organi Shqyrtues i Prokurimit ka shkaktuar vonesa dhe si shkak i kësaj nuk ka mundur të vihet në funksion.

“Sa i përket pyetjes me projektin për blerjen e një aparature lëvizëse konkretisht laboratori mobil për matjen e cilësisë së ajrit në komunën tonë, ne si DMM e kemi planifikuar e tenderuar dy vite me radhë por për shkak të ankesave dhe vonesave në OSHP, (deri edhe në tetë muaj pa përgjigje), kemi mbetur pa e realizuar projektin në fjalë, për vitet e planifikuara buxhetore”, ka theksuar ajo.

Teksa ka shtuar që Komuna e Obiliqit 72 për qind të territorit është zonë industriale e cila është edhe arsyeja kryesore që problemet me ndotjen e ajrit janë më të theksuara.

Foto ilustrim

“Si komunë kemi realizuar projekte kapitale me ndikim në mjedis (si parqe, sheshe e tanimë edhe në kogjenerimin e nxemjes qendrore projekt ky i cili ka ndikim në uljen e ndotjes)”, ka shtuar ajo.

E pyetur se cilët janë hapat që kanë ndërmarr sa i përket kësaj çështjeje, Hasani ka thënë që në bashkëpunim me Korporatën Energjetike të Kosovës kanë realizuar projekte të cilat sado pak ndikojnë në parandalimin e ndotjes së ajrit.

“Në bashkëpunim me KEK-un jemi munduar të trajtojmë hapësirat përreth, KEK-u po ashtu ka vendos murin mbrojtës që të ndaloj grimcat e pluhurit dhe është duke planifikuar të bëjë mbjelljen e drunjëve në pjesën e TC “A” (pranë murit mbrojtës me beton, afër transportuesve të thëngjillit, fshati Dardhishte), si dhe në pjesën e rrugës kryesore “Hasan Prishtina” jemi si komunë duke realizuar trajtimin e sipërfaqes dhe me pas mbjelljen e drunjëve”, ka vijuar më tej.

Ndryshe vitin e kaluar Prishtina është renditur në vendin e katër si vendi me ajrin më të ndotur në botë.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika