Anëtari i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, Rifat Krasniqi, votën pro shkarkimit të Naser Sahitit nga pozita e rektorit, e ka arsyetuar duke thënë se ka votuar për ta ndalur “gjakderdhjen financiare në Universitet të Prishtinës”.
Ky lloj diskursi apo termi i përdorur nga Krasniqi, është i ngjashëm me atë të përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët shpeshherë për shumë çështje e kanë përdorur gjuhën e njëjtë.
Krasniqi, përmes një lidhje telefonike në “Debat Plus”, ka thënë se ai është vetëm një nga anëtarët që ka votuar pro shkarkimit të Sahitit.
“Për shkarkimin e rektorit, aty kanë qenë 9 anëtarë, unë jam vetëm njëri nga ta. Vota ime është për ndaljen e gjakderdhjes financiare në UP, ndaljen e keqpërdorimeve dhe shkeljeve të statutit të UP-së”, ka deklaruar Kraniqi.
Më tej, Krasniqi e ka akuzuar ish-rektorin Sahiti, se i ka favorizuar personat e afërt me të, dhe i ka shpërblyer me kontrata të ndryshme.
“Është për të ardhur keq, që shumë persona të afërt me të i ka favorizuar dhe i ka shpërblyer me kontrata, duke e ndryshuar kontratën, për të përfituar individë të caktuar”, ka theksuar ai.
Krasniqi ka pretenduar se në mënyrë të jashtëligjshme, ish-rektori e ka emëruar Ushtruesin e Detyrës të sekretarit.