Pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në veri, ka reaguar edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
Kryediplomati maqedonas, përmes një postimi në Twitter, është shprehur mjaft i shqetësuar nga raportimet në lidhje sulmin e dhunshëm ndaj zyrtarëve policorë në Zubin Potok.
Deeply concerned by reports of an armed attack on the police in Zubin Potok 🇽🇰. We condemn this violent attack and call for refraining from any action that could undermine the security and stability of our region.
— Bujar Osmani (@Bujar_O) April 16, 2022
Ai u ka bërë thirrje të dy palëve që të përmbahen nga çdo veprim që mund të dëmtojë sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
“Ne e dënojmë këtë sulm të dhunshëm dhe bëjmë thirrje që të përmbahet nga çdo veprim që mund të dëmtojë sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë”, ka shkruar ai.
Të shtunën e 16 prillit, në veri të Kosovës, përkatësisht në Sharpej të Jarinjës, sërish kanë ndodhur sulme drejt Policisë së Kosovës.
Sipas njoftimit të policisë, kësaj radhe, bëhet fjalë për dy shpërthime që dyshohet të jenë nga mjete piroteknike.
Kur ka ndodhur sulmi, Policia e Kosovës ka qenë duke monitoruar një rrugë ilegale të mbyllur kohë më parë, e cila përdorej për kontrabandë të mallrave.
Në bazë të njoftimit të policisë, dyshimi i bazuar është se këto mjete janë hedhur nga territori i Serbisë.
Nga ky rast, nuk ka persona të lënduar as dëme materiale.
Por ky sulm ka qenë vetëm vazhdë e sulmeve të njëpasnjëshme që kanë ndodhur ditëve të fundit.
Të premten e 15 prillit, përmes një konference të jashtëzakonshme, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se brenda katër ditësh kanë ndodhur katër sulme që lidhen me njëri-tjetrin.
Sveçla, theksoi, se këto sulme vijnë si pasojë e luftës ndaj krimit, korrupsionit dhe kontrabandës që po e luftojnë bashkë me Policinë e Kosovës.
Sveçla, bëri të ditur se sulmet janë duke u kryer në forma të ndryshme, mirëpo në të njëjtën zonë.
Sulmi më i freskët ishte të premten, ku në orët e mëngjesit policia e Kosovës në veri ishte sulmuar me granatë dore dhe armë automatike.
“Sot rreth orës 07:40 ka ndodhur një sulm ndaj Policisë së Kosovës të cilët kanë qenë duke shkuar për të realizuar ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm tashmë i faktuar me granatë dore dhe AK-47, si një akt terrorist është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë por edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Sveçla.
Edhe drejtori i Policisë, Sabedin Mehmeti këto sulme i quajti të orkestruara, që si shënjestër kanë Policinë e Kosovës në veri.