Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani ka rikonfirmuar edhe një herë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
Von der Leyen ka thënë se tashmë ka mbetur që të bindet edhe Këshilli Evropian në lidhje me liberalizimin e vizave.
“Kosova e meriton liberalizimin e vizave, i keni përmbushur të gjitha standardet, duhej të bëhej në korrik të vitit 2018, tanimë e kemi konfirmuar që keni përmbushur, detyra jonë është të bindim Këshillin Evropian, kemi punuar me presidencën çeke, mund të llogarisni në mua personalisht, do të mundohemi të bëjmë gjithçka pasi po bëni një punë mbresëlënëse përkundër vështirësive, luftës në Ukrainë që ka dërguar valë shokuese në gjithë botën”, ka deklaruar ajo.
Ajo, ndër të tjera, ka përgëzuar Kosovën për reformat që ka arritur të bëjë në vitin e kaluar, për të cilat sipas saj ka dëshmuar edhe raporti i Komisionit Evropian.
“Ju uroj për këtë punë të zellshme që është reflektuar në raportin për zgjerim, përpjekjet për antikorrupsion dhe sundim të ligjit, janë vërejtur, jeni duke ndërtuar hap pas hapi jo vetëm gjyqësorin por edhe ekonomi solide të tregut”, ka vijuar ajo.
Shefja e Komisionit Evropian, Von der Leyen ka thënë se Evropa nuk është e plotë pa Kosovën.
“Ju sigurojmë që BE-ja është e përkushtuar më shumë se kurrë në procesin e zgjerimit, do t’ju mbështesim aq sa mundemi”.
Ndërsa për çështjen e reciprocitet të targave, ajo ka thënë se duhet të respektohen rregullat në çdo shtet, sidomos kur janë në kuadër të dialogut.
“Unë mendoj që është e domosdoshme që rregullat të respektohen, janë të njëjta në çdo shtet, tranzicioni duhet të jetë përfshirës, duhet të shkojë siç duhet, për gjitha gjërat që duhet të bëhen në kuadër të dialogut”.
Sa i përket sistemit ETIAS, ajo ka thënë se ky sistem është i pavarur nga ky proces, por që është shume i rëndësishëm për BE-në.
“Ky sistem do të jetë i pavarur nga kriteret e vizave, me të do të kemi transparencë, e rrit besimin e vendeve anëtare”.
Ndër të tjera, ajo ka theksuar se BE-ja do të ndihmojë Kosovën sa i përket krizës ekonomike dhe energjetike me anë të mbështetjes financiare.
Sa i përket krizës energjetike, ajo ka bërë të ditur se janë ndarë 75 milionë euro për Kosovën.
“Do të përfitoni mbështetje financiare, do tu japim një grant prej 75 milionë eurosh për te mbështetur bizneset dhe ekonomitë familjare”.
Këto grante siç ka theksuar Von Der Leyen do të shpërndahen deri në fund të janarit që pastaj të procedohen për qytetarët.