Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka thënë se rendi i ardhshëm botëror po formohet para syve tanë. I njëjti ka paralajmëruar se bota po përballet me “ndoshta dekadën më të rrezikshme” që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Në një fjalim të gjerë në Moskë, ai kërkoi të justifikonte pushtimin rus të Ukrainës, një lëvizje që e ka lënë vendin e tij të izoluar ndërkombëtarisht.
Krahas kësaj, Putin akuzoi gjithashtu Perëndimin për shantazh bërthamor kundër Rusisë për të detyruar aleatët të largohen nga Moska. Perëndimi ka denoncuar kërcënimet e fundit të fshehta bërthamore nga Kremlini.
Në fillim të kësaj jave, aleanca ushtarake e NATO-së dënoi pretendimet e pabazuara të Rusisë se Ukraina mund të përdorte një “bombë të pistë”, që nënkuptonte eksplozivë konvencionalë të mbushur me material radioaktiv.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se anëtarët e aleancës e hedhin poshtë këtë pretendim dhe seRusia nuk duhet ta përdorë atë si pretekst për përshkallëzim.
“Ne jemi në një kufi historik. Përpara është ndoshta dekada më e rrezikshme, e paparashikueshme dhe në të njëjtën kohë e rëndësishme që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore’, tha Putin në forumin vjetor “Valdai”, transmeton BBC.
Ai e përshkroi situatën aktuale gjeopolitike në botë si “revolucionare”, duke thënë se Perëndimi nuk ishte më në gjendje të ishte në krye por “po përpiqej dëshpërimisht” ta bënte këtë.