Presioni ndërkombëtar e sidomos ai amerikan, është intensifikuar kohëve të fundit për Qeverinë e Kosovës, në lidhje me shtyrjen e afatit për zbatimin e vendimit për targa.
Këshilltari Special në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, përmes një lidhje telefonike ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, lidhur me situatën e krijuar për targat në vend, duke kërkuar nga ai shtyrjen e vendimit.
“Fola me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, sot për të diskutuar rëndësinë e shmangies së tensioneve dhe shtyrjes së zbatimit të rregullave të reja të targave, pa konfiskime apo gjoba. Gjithashtu diskutuam për partneritetin tonë dhe synimet e përbashkëta për avancimin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike të Kosovës”, ka thënë Chollet.
Edhe i pari i Diplomacisë Amerikane në Kosovë, Jeff Hovenier ka thënë se është e rëndësishme, të shmangen tensionet dhe të shtyhet zbatimi i marrëveshjes për targa. Po ashtu, Hovenier i ka dënuar sulmet ndaj personave të cilët i kanë ndërruar targat.
“E rëndësishme për të shmangur tensionet dhe për të shtyrë zbatimin e rregullave të reja të targave. Ne dënojmë gjithashtu veprimet për të frikësuar ose hakmarrë ndaj atyre që kanë ndërruar targat e tyre”, ka shkruar Hovenier.
Kjo kërkesë për shtyrjen e afatit ishte bërë edhe nga emsiari amerikan Gabriel Escobar, i cili ditë më parë ka deklaruar se ende nuk e ka marrë një përgjigje pozitive nga Qeverie e Kosovës, ndaj kërkesës së tij.
Po ashtu, kërkesës për shtyrjen e afatit i janë bashkuar shtetet e QUINT-it.
Ndërkaq, Qeveria e Kosovës dhe presidenca kanë deklaruar se nuk do ta shtyjnë atë vendim, duke thënë se ka mjaftuar shtyrja e herës së kaluar.
Më 31 tetor përfundon afati i caktuar nga Qeveria e Kosovës për regjistrim të veturave që kanë targa ilegale duke u bërë thirrje qytetarëve serb të Kosovës, që ti heqin ato dhe ti marrin ato legale RKS