Të premten e 28 tetorit, në vazhdën e konferencave të rregullta për media, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi, njëherësh deputet i VV-së, ka propozuar që vendimi për konvertimin e targave ilegale në RKS të shtyhet deri më 31 dhjetor që të mos ketë sabotim të Procesit të Berlinit.
“Kemi një datë të rëndësishme më 3 nëntor për Procesin e Berlinit, Procesi i Berlinit është domosdoshmëri, duhet të mos sabotohet, kështu që në mënyrë diplomatike të shtyhet afati deri më 31 dhjetor që të mos ketë tensione dhe të mos ketë sabotim të Procesit të Berlinit”, ka deklaruar Abazi.
Ai ka theksuar se pozicioni i Kosovës për targat është parim i drejtë dhe i merituar, por që arti i politikës dhe diplomacisë mundëson që ky pozicion të kthehet në favor kombëtar.
Ai ka thënë se ditët në vazhdim do të përcaktojnë fatin e Kosovës në qëndrimet për dialogun, liberalizimin e vizave dhe se çfarë drejtimi do të marrë Procesi i Berlinit.
“Pas një procesi 10-vjeçar të një dialogu që ka prodhuar shumë pak dhe një pozicionimi të qartë të Kosovës në linjë me Bashkimin Evropian me sanksione ndaj Rusisë, e kemi Serbinë që ka qëndruar përkrah Rusisë. Përcaktimi ynë në ditët në vazhdim do të përcaktojë qëndrimet për dialogun, liberalizimin e vizave dhe çfarë drejtimi do të marrë Procesi i Berlinit”, ka vijuar ai.
Ndër të tjera, ai ka përmendur edhe Grupin e gjelbër të deputetëve, për të cilin ka thënë se ka pasur kërcënime për anëtarët e grupit.
“Tashmë është e dëshmuar që të ngulfaten të gjithë zërat që kërkojnë grupin e gjelbër” gjersa ka shtuar se ajo që po bën kërcënime është anëtarja e Komisionit për mjedis dhe bujqësi.
Presioni ndërkombëtar e sidomos ai amerikan është intensifikuar kohëve të fundit për Qeverinë e Kosovës, në lidhje me shtyrjen e afatit për zbatimin e vendimit për targa.
Këshilltari Special në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, përmes një lidhjeje telefonike ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, lidhur me situatën e krijuar për targat në vend, duke kërkuar nga ai shtyrjen e vendimit.
“Fola me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti sot, për të diskutuar rëndësinë e shmangies së tensioneve dhe shtyrjes së zbatimit të rregullave të reja të targave, pa konfiskime apo gjoba. Gjithashtu diskutuam për partneritetin tonë dhe synimet e përbashkëta për avancimin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike të Kosovës”, ka thënë Chollet.
Edhe i pari i Diplomacisë Amerikane në Kosovë, Jeff Hovenier ka thënë se është e rëndësishme të shmangen tensionet dhe të shtyhet zbatimi i marrëveshjes për targa. Po ashtu, Hovenier i ka dënuar sulmet ndaj personave të cilët i kanë ndërruar targat.
“E rëndësishme për të shmangur tensionet dhe për të shtyrë zbatimin e rregullave të reja të targave. Ne dënojmë gjithashtu veprimet për të frikësuar ose hakmarrë ndaj atyre që kanë ndërruar targat e tyre”, ka shkruar Hovenier.
Kjo kërkesë për shtyrjen e afatit ishte bërë edhe nga emsiari amerikan, Gabriel Escobar, i cili ditë më parë ka deklaruar se ende nuk e ka marrë një përgjigje pozitive nga Qeveria e Kosovës ndaj kërkesës së tij.
Po ashtu, kërkesës për shtyrjen e afatit i janë bashkuar shtetet e QUINT-it.
Ndërkaq, Qeveria e Kosovës dhe presidenca kanë deklaruar se nuk do ta shtyjnë atë vendim, duke thënë se ka mjaftuar shtyrja e herës së kaluar.
Më 31 tetor përfundon afati i caktuar nga Qeveria e Kosovës për regjistrim të veturave që kanë targa ilegale, duke u bërë thirrje qytetarëve serbë të Kosovës që t’i heqin ato dhe t’i marrin ato legale RKS.