Nga mëngjesi i sotëm është duke u bërë testimi i tretë i qarkores njëkahëshe në Prishtinë. Kjo ka shkaktuar kolona të gjata dhe bllokim të komunikacionit në kryeqytet.
Në një bisedë telefonike në emisionin “Radar” me Edita Doli në Radio Dukagjini, Ilirik Musliu, drejtori i Shërbimeve Publike, ka deklaruar se ekipet kanë dal në teren për të analizuar situatën para se të merret vendimi përfundimtar.
“Disa rrugë janë më të ngarkuara, kemi bllokime të disa pjesë, por ashtu siç ju kemi paralajmëruar testimi do të vazhdojë edhe për dy ditë të tjera deri tek vendimi final”, ka thënë Musliu.
Ai ka rekomanduar që gjatë këtyre ditëve të përdoren më shumë biçikletat, trotinetat dhe trafiku urban.
Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se ky testim i shndërrimit të gjithë unazës qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për automjetet do të jetë i fundit para se të merret vendimi përfundimtar.