Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, nuk e ka shprehur qëndrimin e qartë në lidhje me shtyrjen apo jo të vendimit për zbatimin e targave.
Zemaj, në një konferencë për media, ka thënë se qëndrimet e LDK-së janë të njohura dhe se qeveria nuk është duke u treguar sa duhet transparente.
Deputeti i LDK-së, i pyetur se a është pro a po kundër, shtyrjes së afatit për targa, ka thënë se partia që ai e përfaqëson nuk e qeverisë vendin, teksa ka shtuar se vendimin duhet marrë Qeveria e Kosovës.
“Ne thërrasim për përgjegjësi nuk është koha e lojërave, nuk është koha e mbulesës së dështimeve edhe në procesin e dialogut por është koha e vendimmarrja e bashkëpunimit me partnerët por edhe me subjektet opozitare. Ne nuk jemi në qeveri, nuk udhëheqim me Qeverinë e Kosovës, është përgjegjësi e qeverisë ta zbatojë ligjin siç e përcakton kushtetuta”, ka thënë ai.
Presioni ndërkombëtar e sidomos ai amerikan është intensifikuar kohëve të fundit për Qeverinë e Kosovës, në lidhje me shtyrjen e afatit për zbatimin e vendimit për targa.
Këshilltari Special në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, përmes një lidhjeje telefonike ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, lidhur me situatën e krijuar për targat në vend, duke kërkuar nga ai shtyrjen e vendimit.
Edhe i pari i Diplomacisë Amerikane në Kosovë, Jeff Hovenier ka thënë se është e rëndësishme të shmangen tensionet dhe të shtyhet zbatimi i marrëveshjes për targa. Po ashtu, Hovenier i ka dënuar sulmet ndaj personave të cilët i kanë ndërruar targat.
Kjo kërkesë për shtyrjen e afatit ishte bërë edhe nga emsiari amerikan, Gabriel Escobar, i cili ditë më parë ka deklaruar se ende nuk e ka marrë një përgjigje pozitive nga Qeveria e Kosovës ndaj kërkesës së tij.
Po ashtu, kërkesës për shtyrjen e afatit i janë bashkuar shtetet e QUINT-it.
Ndërkaq, Qeveria e Kosovës dhe presidenca kanë deklaruar se nuk do ta shtyjnë atë vendim, duke thënë se ka mjaftuar shtyrja e herës së kaluar.
Më 31 tetor përfundon afati i caktuar nga Qeveria e Kosovës për regjistrim të veturave që kanë targa ilegale, duke u bërë thirrje qytetarëve serbë të Kosovës që t’i heqin ato dhe t’i marrin ato legale RKS.