“Armiku më i madh i kancerit të gjirit është kujdesi, mikja më e mirë e secilit nga ne duhet të jemi vetë ne”.
Kështu ka deklaruar presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në manifestimin tradicional informativo-kulturor të Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita” që këtë vit mban moton “Zbulimi i hershëm – Mbijetesë”.
“Një ndër pasojat më të mëdha përveç atyre fizike është edhe ajo emocionale. Mbështetja e grave në kuadër të pakos onkologjike që, ndër të tjera, përfshin edhe protezën e gjirit, ka qenë esenciale…nga viti tjetër, presidenca do të rrisë mbështetjen duke ndihmuar të gjitha gratë me sëmundje onkologjike me këtë pako onkologjike”, ka deklaruar Osmani.
Osmani ka theksuar se përgjatë vitit të kaluar janë ndihmuar rreth 100 gra nga Presidenca në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare, dhe kjo mbështetje sipas saj do të zgjerohet.
Krahas kësaj, ajo ka thënë se bashkëndien me përjetuesit e kësaj sëmundjeje dhe me familjarët që humbën anëtarë të familjes si shkak i kancerit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kishte vizituar klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në muajin e ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit, saktësisht më 19 tetor.
“Donacioni për protezat e gjirit do të rritet nga viti i ardhshëm, Presidenca do të mbulojë pjesën më të madhe të këtij donacioni”, kishte deklaruar ajo.
Osmani bën thirrje që shëndetësia të jetë prioritet në Kosovë
Pjesë e këtij manifestimi ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ky i fundit ka thënë se muaji tetor u përket grave që luftojnë me vendosmëri për jetën dhe njëherit, atyre grave që i vetëdijësojnë gratë dhe të tjerët për këtë sëmundje.
“Është tejet frymëzuese që t’i shohim gratë nga të gjitha shtresat shoqërore, që nga paciente të mbijetuara bëhen aktiviste me zell të kësaj kauze”, ka deklaruar Kurti, gjersa ka theksuar se Qeveria e Kosovës ka shtuar buxhetin e saj në këtë drejtim.
Qendra Kosovare për luftimin e kancerit të Gjirit “Jeta/Vita”, ka organizuar manifestimin tradicional informativo-kulturor me moton “Zbulimi i hershëm – Mbijetesë” për herë të 16-të.
Krahas Osmanit, në këtë manifestim kanë marrë pjesë, zëvëndëskryeministrja Emilia Rexhepi, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, kryetari i Prishtinës Përparim Rama dhe të tjerë