Filmi artistik i metrazhit të gjatë “Illyricvm”, me skenar dhe regji të Simon Bogojević Narath, bashkëprodhim i Kroacisë, Sllovenisë, Italisë, Kosovës dhe Bosnjës, do të prezantohet sonte premierë nga ora 20:00 në Cineplexx në Prishtinë
Fatmir Spahiu, i cili përpos punës së producentit ka edhe një rol në këtë film, gjatë një bisede në emisionin “Radar” me Edita Doli, në Radio Dukagjini, ka thënë se ky film është i veçantë për faktin se është projekti i parë ku i shohim ilirët të ecin, të flasin, të ekzistojnë.
“Illyricvm është prodhimi i parë kinematografik ku personifikohen ilirët. Kthehet pas në vitin 36 para erës sonë, kur shumë principata ilire në atë kohë kanë qenë nën pushtimin ose sundimin romak. E veçanta e filmit është vetë fakti që për herë të parë në kinematografinë botërore dëgjohet dhe flitet gjuha e lashtë ilire” ka thënë Spahiu.
Producenti Spahiu ka thënë më tej se është shumë i lumtur për numrin e madh të aktorëve pjesëmarrës në këtë projekt.
“Në këtë film është përfshirë një kastë e madhe e aktorëve kosovarë, e që janë: Ylber Bardhi, Labeat Bytyqi, Kushtrim Hoxha, Ilir Prapashtica, Rina Krasniqi, Bujar Ahmetaj, Dukagjin Podrimaj, Armend Smajli, Lulzim Bucolli, Ali Demi, Fatmir Spahiu, Selman Lokaj,Gani Morina…”, ka thënë Spahiu.
Filmi është xhiruar në tri shtete: Bosnjë, Kroaci dhe një pjesë në Itali. I pyetur se pse nuk ka pasur xhirime në Kosovë, Spahiu ka thënë se për këtë duhet të flasin nga Ministria e Kulturës dhe Ministria e Financave.
“Kjo është temë e gjërë dhe duhet të flasin nga Ministria e Kulturës dhe ajo e Financave. Ne kemi pasur plane që t’i bëjmë disa xhirime në Rugovë dhe në fshatrat Shkrel e Restelicë, por për shkak se Kosova nuk e ka të rregulluar kthimin e rabatit, kjo e ka bërë të pamundur të realizohen xhirimet” ka thënë Spahiu.
Filmi “Illyricvm” është përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Hrvatski Audiovizuelni Centar, Slovenski Filmski Centar, FRIULI-VENEZIA GIULIA REGIONAL FUND, VIBA FILM, Ministria e Kulturës së Kantonit të Sarajevës, Euroimages si dhe nga Komuna e Prishtinës e kompani të njohura duke shfrytëzuar ligjin për sponsorizime.
Filmi “Illyricvm” premierën botërore e ka pas në Festivalin e Pulës në Kroaci, kurse në Prishtinë do të prezantohet sonte më 28 tetor, në Cineplexx ku pas kësaj date më pas edhe do të jetë në repertorin e kësaj kinemaje.