Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente ndaj të pandehurve, S.I. dhe H.H., për shkak të veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të Mashtrimit’’, saktësisht për mashtrim të biletave të avionit.
Sipas kërkesës së PK-së, nga data 16.12.2020 në vazhdimësi e deri më 30.06.2022, të pandehurit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, u kanë ndihmuar të pandehurve M.K. dhe A.B., bashkëpronar të subjektit “Prishtina Jet” në Prishtinë, duke u krijuar kushte për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit” në atë mënyrë që përmes një marrëveshjeje interne të datës 16.12.2020 të nënshkruar mes të pandehurës S.I. dhe të pandehurit M.K., përfaqësuesi i ‘’Prishtina Jet’’, në këmbim të një kompensimi prej 4 euro për çdo transaksion, kanë hapur një xhirollogari bankare në emër të pandehurës S.I., në një bankë të Lucernit në Zvicër.
Si rrjedhojë, personat e dëmtuar dhe njëherit, të mashtruar nga përfaqësuesit e subjektit ‘”Prishtina Jet’’, përmes kësaj xhirollogarie, kanë kryer pagesa për blerjen e biletave fiktive të aeroplanit, për të udhëtuar nga shtetet e perëndimit për në Kosovës dhe anasjelltas, me një çmim shumë më të lirë se sa çmimi real.
“Mjetet e mbledhura ua kanë transferuar në xhirollogaritë bankare të pandehurve të subjektit “Prishtina Jet” në Prishtinë dhe atë në shumën prej 227,922.54 CHF, kurse në xhirollogarinë e vet të pandehurit H.H., kanë transferuar shumën prej 26,003.02 CHF si përfitim i kundërligjshëm nga ky aktivitet, në xhirollogarinë Sofia-Bulgari shumën prej 199,873.67 CHF, ndërkaq shumën prej 174,695.36 CHF kanë transferuar në subjektin e regjistruar si Southeast – Slloveni, e cila është në pronësi të pandehurit M.K., ashtu që të gjitha këto transferime janë realizuar për periudhën kohore 01.01.2022 – 30.06.2022”, thuhet në njoftim.
Të pandehurit gjenden në ndalim nga data 28 tetor 2022, me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Të shtunën, Policia e Kosovës ka njoftuar se janë arrestuar dy të dyshuar nën dyshimin se ata kanë pranuar në xhirollogaritë e tyre mjete monetare në vlerë rreth gjashtëdhjetë mijë (60,000.00) euro, gjatë periudhës kohore 2021 -2022.
Raporti 24-orësh i Policisë së Kosovës bën të ditur se, të dyshuarit kishin pranuar paratë nga persona të ndryshëm, të cilët kanë rezervuar bileta të udhëtimit në relacionin Zvicër-Kosovë dhe anasjelltas, ndërsa fluturime nuk janë realizuar.