Paralajmërimet për greva nga ana e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), sipas zëvendësministrit të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Dukagjin Pupovci, nuk janë asgjë tjetër përveçse dëmtim i procesit arsimor.
Sipas Pupovcit, kërkesa e SBASHK-ut për nga 100 euro shtesë për çdo muaj deri në miratimin e Ligjit të Pagave është shantazh i drejtpërdrejtë.
Për numrin dy të arsimit në Kosovë, SBASHK-u duhet të jetë më bashkëpunues, me ministrinë, sepse sipas Pupovcit hartimi i draftit final të Ligjit të Pagave, në mënyrë që të gjej një formulë të pranueshme për të gjitha kategoritë e shërbyesve publikë, do të merr kohë.
“Prandaj deri në aprovimin e Ligjit të Pagave, pagat do të jenë këto që janë, sepse nuk mund të ndryshohen çdo ditë. Pastaj, duhet të kemi parasysh që ne përveç 80 mijë punonjësve në sektorin publik, i kemi edhe rreth 250 mijë të tjerë në sektorin privat, edhe ata janë qytetarë të Kosovës. Dhe nga ky këndvështrim, besoj që është SBASHK-u ajo që duhet të tregojë pak më shumë mirëkuptim”, është shprehur Pupovci për KosovaPress.
Ai më tej ka folur edhe për vendimin e Kushtetueses që i dha të drejtë Komunës së Kamenicës në lidhje me organizimin e mësimit alternativ.
Sipas Pupovcit, MASHTI asnjëherë nuk e ka kontestuar reformën në arsim, por se kërkonte zgjidhje për nxënësit të cilët prej muajsh nuk kishin ndjekur mësime ndërsa Komuna e Kamenicës nuk ofronte një zgjidhje.
“Meqë nuk ka pasur përgjigje pozitive atëherë ministria ka marrë një vendim të tillë, dhe ajo që ka vlerësuar Gjykata Kushtetuese është faktikisht ligjshmëria e këtij vendimi, se me këtë vendim është ndërhyrë në kompetencat e Komunës”, ka thënë Pupovci.
Ditë më parë SBASHK-u në koordinim me disa sindikata të tjerë kanë protestuar duke shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me mos-miratimin e Ligjit të Pagave, andaj ata kanë kërkuar si formë të ndërmjetme që shteti të japë nga 100 euro për çdo muaj për mësimdhënësit derisa të miraton ligjin.
Sindikata e punëtorëve arsimor gjithashtu gjatë protestës kishte paralajmëruar edhe greva që nga 20 prilli, në rast se kërkesat e tyre nuk merren parasysh.