Në konventën politike “Veprat flasin”, Fatmir Limaj, kryetari i Nismës Socialdemokrate, ka thënë se veprat në fjalë dhe fjalët në vepra të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, vazhdojnë ende t’i mbajnë dhe t’i udhëheqin drejt “betejave” që vijnë.
“Ne të gjithë këtu lutemi për shëndetin e tij dhe të gjithë burrave që janë atje padrejtësisht, duke qenë të sigurt se ata së shpejti do të kthehen në Kosovë”, ka thënë Fatmir Limaj.
Limaj ka shtuar se prapa tyre qëndrojnë veprat e tyre e para tyre qëndron gatishmëria dhe premtimi i tyre për të vazhduar me veprat për Kosovën.
“Kjo konventë politike e titulluar “Veprat flasin” ka imponuar këtë moto per të ju rikthyer qytetarëve të Kosovës”, shtoi Limaj duke theksuar se Kosova ka nevojë për vepra dhe sipas tij, Kosova po përballet me një situatë të çuditshme ku njerëzit që e drejtojnë “flasin e mashtrojnë”.
“Kosova ka marrë nje drejtim që nga 14 shkurti, krejt pa krye, me premtime boshe, me shpifje dhe mashtrime”.
Ai shprehet se në krye të shtetit janë mohuesit e shtetit, duke shtuar se të njëjtit kanë punuar kundër asaj qe kemi sot.
“Në momentet më të vështira ata kanë qëndruar në anën e kundërt të historisë, ata kanë mohuar lirinë e Kosovës, ata kanë mohuar krijimin e shtetit të Kosovës, ata kanë deklaruar se Kosova nuk duhet te ketë asnjëherë shtet”, shtoi Limaj.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate ka potencuar se krerët e shtetit kanë qenë kundër çdo bisedimi që ka qenë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.