Të hënën, gjatë publikimit të raportit “Tendencat për politizim të KPMShCK”, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka theksuar që Kuvendi i Kosovës duhet të refuzojë Projektligjin Nr.08/L-180 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK).
Sipas IKD-së, në këtë Projektligj, nuk ka asnjë dispozitë të vetme e cila nuk bie në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjatë prezantimit të këtij raporti, hulumtuesi i lartë i IKD-së, Gzim Shala, ka thënë se Projektligji në tërësinë e tij është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, pasi ky Projektligj e bën tërësisht irelevant rolin e një institucioni kuazi gjyqësor, i cili kujdeset për mbrojtjen e standardeve në fushën e shërbimit civil.
“Thënë ndryshe, në këtë Projektligj nuk ka asnjë dispozitë që ia vlen të miratohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Shala.
Tutje, ai ka thënë se për këto arsye, me qëllim të mbrojtjes së Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe mbrojtjes së institucionit kryesor që mbron rregullat e shërbimit civil, Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet ta refuzojë këtë ligj.
Shala tha se për shkak të mungesës së një dispozite të vetme pozitive në këtë Projektligj, Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet ta refuzojë në parim këtë Projektligj, përkundër faktit se Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal e ka bërë të kundërtën.
“Për më tepër, do të ishte shumë e rrugës që vetë Qeveria e Republikës së Kosovës ta tërhiqte këtë nga Kuvendi”, ka thënë ai.
Sipas tij, nëse nuk ndodh kjo, bazuar në dispozitat Kushtetuese dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, ky ligj nuk ka gjasa që të kalojë filtrin e Gjykatës Kushtetuese.
“Nisur nga praktika e Gjykatës Kushtetuese në raport me KPMShCK, çdo kontestim i këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese, do të sjellte shfuqizim të të njëjtit, për shkak të shkeljes së dispozitave kushtetuese”, tha Shala.
Ndryshe, më 30 shtator 2022, Qeveria e Republikës së Kosovës kishte miratuar Projektligjin Nr.08/L-180 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Në fazën e konsultimit publik, ky Projektligj përmbante vetëm katër nene, derisa i njëjti Projektligj në Qeveri është miratuar me nëntë nene.
Aktualisht, ky Projektligj është duke u shqyrtuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Më 17 tetor 2022, ky projektligj është miratuar në parim nga Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.