Në më shumë se 10 qendra, qytetarët e Prishtinës mund të marrin dozën e vaksinës kundër gripit sezonal. E pikërisht kjo është arsyeja se pse Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, mesditën e së hënës, ia kishin mësyrë shumë qytetarë për tu vaksinuar.
Tek tregoni disa prej tyre, se kanë më shumë se 10 vite që marrin rregullisht vaksinën kundër gripit sezonal, apelonin që sa më shumë qytetarë të shprehin interesim për këtë.
“I marr edhe po e shoh veten, që jam pak më mirë edhe gjithë kur është koha vi e marr, po e ndiej vetën shumë mirë, po besoj tash edhe në moshë, edhe vaksina ka me pas sukses”, ka thënë Myrvete Berisha, qytetare.
“Unë e marr më së paku 15 vjet, që e marr unë dhe bashkëshortja, unë prej se e marr thuajse pak kam pasur probleme me këto gripet sezonale. Problem nuk kam pasur kurr hic, ju kisha sugjeruar çdo njërit mbi moshën 40 vjeç me e marr”, ka thënë një qytetar tjetër, Hilmi Hyseni.
Komuna e Prishtinës, për momentin është furnizuar me rreth 6 mijë doza të vaksinës, derisa drejtori i QKMF-së, tha se për dallim nga herët e kaluara këtë vit vaksinimi ka filluar në kohën e duhur.
“Ka pasur qarkullime të gripeve sezonale, jemi përballur edhe ne, ditët e fundit ka qenë një qetësi relavite, për mos me thënë para dy jave kemi pasur një numër të qytetarëve që kanë pasur ankesa sa i përket viruseve të ndryshme, tani është një qetësi që është shumë e përshtatshme të merret vaksina”, ka thënë Bujar Gashi.
Ndërkohë, nga Ministria e Shëndetësisë, kanë thënë se Kosova ka në dispozicion rreth 85 mijë doza të vaksinës, dhe se presin që interesimi i personave që duan të vaksinohen të shtohet ditët në vazhdim.
“Pandemia Covid-19 në ishte ne dy vitet e fundit, dhe ajo ka ndikuar edhe në këtë temë të ketë disa ngecje, por unë mendoj që tashmë kemi filluar më herët sesa viteve të kaluara, dhe në argumentimin e ekspertëve që duhet të vaksinohen, të gjithë personat mund të vaksinohen nga mosha 6 muaj e tutje, por në mënyre të veçantë ata që kanë sëmundje kronike”, ka thënë zv.ministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, vitin e kaluar rreth 60 mijë qytetarë janë vaksinuar kundër gripit sezonal.