Analisti Imer Mushkolaj, teksa e ka komentuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për çështjen e targave ilegale të cilat nuk janë konvertuar në ato RKS, ka thënë se ky vendim është legjitim dhe korrekt, por e sheh problematike mënyrën se si do të zbatohet.
I ftuar në emisionin “Debat Plus”, në RTV Dukagjini, ku po diskutohet për “zbutjen e qëndrimeve” të kryeministrit të Kosovë, Albin Kurti, Mushkolaj ka thënë se ky “kompromis” i Qeverisë duke ti pamjaftueshëm për partnerët ndërkombëtar.
“Afërsisht i bie që është periudhë gjashtë mujore deri më 21 prill, me këtë logjikën e përshkallëzimit, ndërkohë që kërkesa ishte për 10 muaj. Kurti dhe Qeveria nuk deshën që të dëgjojnë SHBA-të për një 10 mujorsh dhe vendosën për këtë 6 mujorshin. Në dukje të parë duket se është vendim korrekt në kuptimin që Qeveria e ka legjitimitetin e duhur për të marrë këtë vendim, dhe është legjitim askush nuk e konteston por ëhstë problematik zbatimi i këtij vendimi në mënyrën qysh është përshkallëzuar për shkak se nuk e dimë se çfarë do të ndodhë kur përfundon periudha e qortimit dhe fillon periudha e ndëshkimit”.
“Njëfarë zgjidhje kompromisi që Kurti dhe Qeveria e kanë ofruar por po duket e pamjaftueshme për partnerët ndërkombëtare sidomos për SHBA-të”, ka thënë Mushkolaj.
Sipas tij, dilema tjetër ka të bëjë me zbatimin e këtij vendimi nga policët në Veri të Kosovës, që sipas tij pjesa më e madhe e pjesëtarëve të policisë janë të komunitetit serb.
“Dilema tjetër, nëse kjo është e mundshme që jashtë veriut të vendit, është problematike që të zbatohet në Veri të vendit, janë policia e Kosovës që do ta zbatojnë atë që në masën më të madhe janë policë të komunitetit serb që bashkëjetojnë me këta ngasësit e veturave me targa ilegale dhe është problematike se si do të zbatohet vendimi”, shtoi ai.
Megjithatë, Mushkolaj nuk e përjashton mundësinë e ndryshimit të këtij vendimi.
“Nuk e përjashtoj mundësinë që përtej këtij vendimi që është marrë me këtë përshkallëzimin e afateve, Qeveria e Kosovës ta ndryshojë apo ta modifikojë këtë vendim, të gjejë mënyra të tjera se si do të zbatohet ky vendim ose nëse fare do të zbatohet si i tillë”, është shprehur Mushkolaj.
Në mesnatën e së hënës së një nëntorit, do të hyjë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me targat e automjeteve që nuk janë konvertuar nga ato ilegale në ato RKS.
Zbatimi i këtij vendimi do të bëhet në tri faza, që fillimisht parashihen vërejtjet, ndërsa pas tri javëve edhe gjoba për ata që nuk e zbatojnë kërkesën.
Duke filluar nga një nëntori e deri më 21 nëntor masa do të jetë ajo e qortimit, pastaj nga 21 nëntori për dy muaj, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes.
Nga 21 janari do të ketë targa provuese për dy muaj të tjera, pas të cilës datë më 21 prill nuk mund të ketë më targa ilegale në qarkullim.
Ndonëse, para vendimit të ri të Qeverisë së Kosovës, raportohej për sulmet nga strukturat kriminale serbe ndaj qytetarëve serbë të Kosovës, të cilët i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave nga ato ilegale në ato RKS, të dielën e 30 tetorit, dy ditë para se të nisë zbatimi i këtyre masave, situata në Veri është raportuar e qetë.