Pak para hyrjes në fuqi të vendimit të Qeverisë së Kosovës lidhur me çështjen e targave të pakonvertuara nga ato ilegale në ato RKS, situata në Veri të Kosovës është e qetë.
Ekipi i RTV Dukagjinit, që po qëndron në Mitrovicën Veriore për të parë nga afër gjendjen aktuale, ka raportuar se në mbrëmjen e 31 tetorit, ka pak qarkullim të veturave dhe njerëzve në rrugët e kësaj pjese të Kosovës.
Në mesnatën e së hënës së një nëntorit, do të hyjë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me targat e automjeteve që nuk janë konvertuar nga ato ilegale në ato RKS.
Zbatimi i këtij vendimi do të bëhet në tri faza, që fillimisht parashihen vërejtjet, ndërsa pas tri javëve edhe gjoba për ata që nuk e zbatojnë kërkesën.
Duke nisur nga një nëntori e deri më 21 nëntor masa do të jetë ajo e qortimit, pastaj nga 21 nëntori për dy muaj, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes. Nga 21 janari do të ketë targa provuese për dy muaj të tjera, pas të cilës datë më 21 prill nuk mund të ketë më targa ilegale në qarkullim.
Këtë vendim, Qeveria e ka quajtur vendim të përgjegjshëm.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një përgjigje për Portali Dukagjini, ka thënë se “me shkallëzimin e sanksioneve për zbatimin e vendimit pararendës për targat ilegale, Qeveria ka vepruar në mënyrë të përgjegjshme në raport me obligime për respektim të sundimit të ligjit dhe në të njëjtën kohë në raport me përkushtimin për paqe dhe siguri”.
Ai ka theksuar se me partnerët ndërkombëtarë janë diskutuar brengat që kanë qenë të përbashkëta dhe duke i marrë ato në konsideratë është ardhur deri te zgjidhja që “vendos krah për krah sundimin e rendit dhe ligjit dhe paqen dhe sigurinë”.
“Për qasjen, zgjidhjen dhe vendimin tonë partnerët ndërkombëtarë kanë qenë të njoftuar paraprakisht”, ka thënë Kryeziu.
Ndryshe, Shtetet e Bahskuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë shprehur të zhgënjyera, pasi Qeveria e Kosovës nuk dëgjoi këshillat e tyre për zgjatjen e afatit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës, për 10 muaj.
“Kosova ka të drejtë të zbatojë regjimin e targave sipas Marrëveshjes së Brukselit, por zgjatja e afatit është në interes të përparimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, thuhet në postimin e reagimin e SHBA-ve.
Kurse, në reagimin e BE-së thuhet se Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht targat e vjetra “por procesi duhet të zhvillohet në mënyrën e dakorduar në dialog dhe të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsultative”.