Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.
Shala këtë e ka konfirmuar për Kallxo.com, teksa ka thënë se arsyeja e dorëheqjes është vendimi i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, i cili ndalon emërimin, riemërimin dhe avancimin e stafit akademik që shërben në detyra publike.
“Po, kam kërkuar dorëheqjen dhe nuk shërbej më në cilësinë e zëvendësministres së Drejtësisë”, ka thënë Shala.
“Kjo dorëheqje vjen si pasojë e vendimit të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, i cili ndalon emërimin, riemërimin dhe avancimin e stafit akademik që shërbejnë në detyra publike. Marrë parasysh përgatitjen time dhe përkushtimin për të kontribuar në ngritjen e brezave të juristëve të rinj në Republikën tonë, vazhdimi i ushtrimit të funksionit të zëvendësministres më është pengesë në përmbushjen e qëllimeve akademike”, është shprehur ajo.
Po ashtu, për Shalën, shërbimi në këtë pozitë ishte nder për të. Ajo ka falënderuar kabinetin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për besimin e dhënë.
“Shërbimi në pozitën e Zëvendësministres në Kabinetin e Kryeministrit Kurti ka qenë nder për mua dhe i jam mirënjohëse për besimin e dhënë”, përfundoi Shala.
Portali Dukagjini, ka provuar të kontaktojë Shalën, por e njëjta nuk ka qenë e qasshme.
Ndryshe, Shala, në këtë post është emëruar që nga marsi i vitit 2020.