Pas dorëheqjes së Vjollca Kabashit, nga pozita e drejtoreshës për Punë dhe Mirëqenie Sociale në komunën e Prizrenit, e cila ka thënë se arsyeja e kësaj dorëheqjeje janë kërcënimet dhe shantazhet që sipas saj janë bërë nga kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka folur edhe ky i fundit.
Totaj, në një shkrim në Facebook, ka thënë se mungesa e aftësive të mira komunikuese, menaxhimi jo i mirë i kohës, sjelljet jo-bashkëpunuese me kolegët tjerë drejtorë, dhe me kabinetin e kryetarit, kanë rrezikuar seriozisht përmbushjen e objektivave dhe detyrave të punës.
“Zonja në fjalë ka ngritur dyshime rreth integritetit të stafit dhe drejtorit të Shërbimeve Publike, dhe fare pa asnjë argument, ka ngritur dyshime edhe rreth integritetit tim si kryetar i Prizrenit. Ju siguroj se insinuatat rreth kinse një pagese të parregullt fare nuk qëndrojnë”, ka thënë Totaj.
Kabashi ka akuzuar kryetarin Totaj për burokraci dhe nepotizëm.
Ajo kishte theksuar se pas “detyrimit” të nënshkrimit nën kërcënim brenda zyrës së kryetarit, ka njoftuar stacionin policor ku ka dhënë deklaratë në njësitin e krimeve ekonomike në Prizren për “këto parregullsi”
Por për Totajn, procedurat e Thesarit janë shumë rigoroze.
“Nëse diçka nuk do të kishte qenë në rregull, nuk do të ishte e mundur të vazhdohej me finalizim të mjeteve financiare. Drejtoresha nëse ka qenë e bindur se pagesa ka qenë e kundërligjshme ka mundur të jap dorëheqje e të mos e nënshkruaj fare”, ka thënë ai.
“Kam kërkuar që Drejtoret të bashkëpunojnë në mes veti dhe ato drejtori që kanë mjete të cilat nuk mund t’i shfrytëzojnë t’i transferojnë tek drejtoria e “Shërbimeve Publike”, meqenëse në atë drejtori ka nevojë për mjete dhe ato do të mund të shfrytëzoheshin. Kemi pasur raste që nga drejtoritë tjera, mjetet të kalojnë në drejtorinë e Shërbimeve Publike pa asnjë problem, sepse këtë e lejon ligji. Drejtoresha e Mirëqenës Sociale, ka refuzuar të respektoj kërkesën time dhe procedurat që do të mundësonin që mjetet t’i shfrytëzojmë e mos të na shkojnë në suficit, sepse do të kishte ndikim negative në vlerësim të performances së qeverisjes lokale”.
Totaj ka shtuar se mungesa e profesionalizimit, paaftësia për të realizuar objektivat e qeverisjes lokale dhe mungesa e bashkëpunimit me pjesën tjetër të stafit, përfshirë drejtorët dhe pjesëtarët e kabinetit të kryetarit nuk do të tolerohen.
Ndryshe, Edmond Hoxha është emëruar drejtor i ri në Drejtorinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale në Prizren.