Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi të martën ka pritur në takim përfaqësuesit e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) të udhëhequr nga Gabriel Di Bella.
Ky takim është realizuar përgjatë takimeve të misionit me autoritetet në Kosovë.
Gjatë takimit u diskutuan gjetjet e misionit në lidhje me Kosovën, të cilat pritet të publikohen së shpejti, njofton Zyra e Kryeministrit.
Theksi kyç ishte në krizën e energjisë dhe mënyrat se si sfidat që ajo i sjell do të mund të tejkalohen por edhe kthehen në mundësi për Qeverinë e Kosovës.
Më tutje, është diskutuar për maturinë e treguar fiskale nga Qeveria, e cila e veçon Kosovën nga pjesa tjetër e rajonit.
Ky është lajm shumë i mirë, sepse hapësira fiskale e krijuar si rezultat i politikave të kujdesshme fiskale e lë Qeverinë të bëjë përzgjedhje në mes të mundësive të ndryshme të investimit.
Zëvendëskryeministri Bislimi ndau me Misionin e FMN-së detaje nga masat e ndryshme që po i ndërmerr Qeveria për të lehtësuar krizën energjetike për qytetarët, një pjesë e të cilave tanimë do të financohet nga pakoja buxhetore e BE-së për Kosovën, në vlerë prej 75 milionë eurosh.