Policia e Kosovës ka shqiptuar një numër të vogël të qortimeve për mijëra vozitës të veturave me targa ilegale, të cilat u panë gjatë ditës në veriun e Kosovës. Qytetarët serb edhe pse pa ndonjë protestë, nuk pranuan mirë vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës.
Është rrugë kryesore në veriun e Mitroviëcs. Njëjtë sikurse në çdo ditë tjetër, këtu po lëvizin të papenguara veturat me targa që në Republikën e Kosovës konsiderohen ilegale.
Policia ka vendosur gjatë ditës disa patrulla në vende të ndryshme të qyteteve veriore të Kosovës.
Mirëpo, këta policë, sikurse edhe kolegët e tjerë të tyre patën pak punë gjatë ditës.
Më shumë fletqortime u shqiptuan në pikën kufitare në Jarinje.
Një prej qytetarëve serbë e pranoi që po voziste autoambulancën me targa KM.
“Po e kam marrë fletëqortimin. Nuk e di çka do të thotë sepse nuk e kam lexuar, do ta lexoj kur të shkoj në shtëpi. Nuk është automjeti im, nuk e di nëse institucioni do ta regjistrojë në targa RKS. Si do të bëhet duhet ta dijnë Vuqiq dhe Kurti, askush tjetër”, ka thënë një nga qytetarët.
Qortimi që e pranoi ky qytetar ia tërheq atij vërejtjen se në rast të mos ndërrimit të targave, pas 21 nëntorit do të gjobitet me 150 euro, kurse pas 21 prillit do t’i ndalohet tërësisht qarkullimi me këtë automjet.
E gjatë pasdites, në Jarinjë Policia e Kosovës nuk ka shqiptuar fletëqortime të tilla.
Përveç vendosjes së ngjitësve në targa, qytetarët e kanë kaluar pa problem me targa ilegale këtë pikë kufitare.
Në Jarinjë është njoftuar se gjatë ditës u shqiptuan dhjetëra fletëqortime.
Këtu, përgjatë gjithë kohës ka qëndruar ky ekip i EULEX-it.
Madje, njëri prej pjesëtarëve të këtij misioni të Bashkimit Evropian, u pa i intersuar edhe për punën që po bënin zyrtarët kufitar.
Për hyrjen në fuqi të vendimit, njoftoi në minutat e parë të një nëntorit, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.