Juristi Bardhyl Hasanpapaj ka thënë se shtyerja e marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me konvertimin e targave është bërë nga viti 2016.
I ftuar në Debat Plus të RTV Dukagjini, i pyetur lidhur me raportet në mes Shteteve të Bashkuara tën Amerikës dhe Kosovës pas shtyerjes prej një muaji lidhur me vendimin për targat, vendim ky i cili i ishte kërkuar Kurtit të shtyhej për 10 muaj, Hasanpapaj ka thënë se edhe Kosova është e zhgënjyer me procesin e deritanishëm të dialogut.
“Edhe Qeveria e Kosovës e Kosova është e zhgënjyer me përpjekjet ndërkombëtare dhe procesin se si po ecën dialogu, presionin që u bëhet palëve e sidomos Kosovës dhe për shkak se kjo marrëveshje është bërë nga viti 2017. Në marrëveshjen e vitit 2016, të dy palët janë marrë vesh që target ilagale të hiqen nga qarkullimi dhe pala serbe është dakorduar për këtë”, ka deklaruar ai.
Krahas kësaj, Hasanpapaj ka thënë se nuk ka parë asnjë garanci konkrete se do të kishte ndonjë rezultat edhe në shtyerje më të gjatë të marrëveshjes.
Sipas analistit Dardan Gashi, amerikanët kanë kërkuar vetëm një vijueshmëri dhe përfundim të dialogut deri në janar.
“Po thonë le këtë se kjo nuk është tema madhore, tema madhore është të gjeturit zgjidhjen përfundimtare”, ka deklaruar Gashi.
Sipas Gashit, afatet e reja të caktuara nga Qeveria Kurti do të prodhojnë kriza të reja.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me targat e automjeteve që nuk janë konvertuar nga ato ilegale në ato RKS, tashmë ka hyrë në fuqi.
Zbatimi i këtij vendimi do të bëhet në tri faza, që fillimisht parashihen vërejtjet, ndërsa pas tri javëve edhe gjoba për ata që nuk e zbatojnë kërkesën.
Duke nisur nga një nëntori e deri më 21 nëntor masa do të jetë ajo e qortimit, pastaj nga 21 nëntori për dy muaj, deri më 21 janar, do të jetë masa e gjobitjes.
Nga 21 janari do të ketë targa provuese për dy muaj të tjera, pas të cilës datë më 21 prill nuk mund të ketë më targa ilegale në qarkullim.
Ndonëse, tashmë kanë hyrë në fuqi “masat e qortimit”, situata në Veri raportohet të jetë e qetë.