Ish-kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është në rrugë drejt fitores së zgjedhjeve parlamentare.
Sipas sondazheve, pas zgjedhjeve të mbajtura më një nëntor në Izrael, thuhet se blloku i krahut të djathtë ka fituar një shumicë të thjeshtë në Parlament, në krahasim me rivalët e tij, shkruan REL.
“Jemi afër fitores së madhe”, u ka thënë ai mbështetësve në Jerusalem.
Rezultatet zyrtare, që mund të prodhojnë rezultat tjetër, pritet të bëhen publike në orët në vijim.
Rivali i tij kryesor, kryeministri aktual, Yair Lapid, ka thënë se “asgjë” nuk është e vendosur ende.
Netanyahu, kundërshton krijimin e një shteti palestinez në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, si zgjidhje për konfliktin izraelito-palestinez, formulë e mbështetur nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë administratën e presidentit amerikan, Joe Biden.
Ai është duke u gjykuar nën akuzat për pranimin e dhuratave nga miqtë e pasur dhe për kërkimin e favoreve për manjatët e mediave, në këmbim të një mbulimi më të favorshëm.
Megjithatë, është deklaruar i pafajshëm për akuzat për korrupsion.
“E konfirmoj përgjigjen me shkrim të paraqitur në emrin tim”, ka thënë Netanyahu të hënën para gjykatës në Jerusalem.
Ai e ka cilësuar ndjekjen e tij penale si gjueti shtrigash.