Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në nderim të 33-vjetorit të rënies së dy dëshmorëve, Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia, ka bërë homazhe te varrezat e tyre.
Ai para mediave ka thënë se Fazliu e Zhitia ishin shembull se si sakrifikohet jeta për lirinë e vendit.
“Erdhëm për t’i bërë nderimet për heronjtë tanë që e dhanë shembullin më të vyer se si jepet jeta për lirinë e atdhetarë, sepse ata i luftuan forcat e okupatorit”.
“Ishin shembull që frymëzoi edhe brezat më pas. E mijëra djem e vajza u bashkuan në UÇK duke e përjetuar shembullin e tyre se si me pushkë në dorë duhet t’i dilet përpara okupatorit. Sa të ketë gjallë popull shqiptar ata do të kujtohen e do të nderohen”, është shprehur Konjufca.
Homazhe pranë varrezave të dy dëshmorëve ka bërë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Pos Haradinajt, homazhe bëri edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
“Jemi në nderim të heronjve, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu. Janë pishtarët e lirisë dhe janë ata që ndriçuan rrugën e lirisë”, ka thënë Haradinaj.
Fahriu dhe Afrimi ranë më 2 nëntor të vitit 1989, në Bregun e Diellit në Prishtinë, pas një luftimi të pabarabartë me forcat e armikut.