Presidenca e Republikës së Kosovës ka thënë se akti i së mërkurës ndaj të moshuarës në Shtëpinë e të Moshuarëve në Pejë është tronditës, i papranueshëm dhe i patolerueshëm, akt të cilin Zyra e Presidentes e dënon fuqishëm.
Përmes një deklarate, Zyra e Presidentes ka ftuar organet e drejtësisë që këtë rast ta trajtojnë me prioritet.
“Dhuna është e papranueshme pavarësisht ndaj kujt drejtohet. T`i bësh cak dhune të moshuarit është krim i dyfishtë. Ata janë pjesa më e ndjeshme e shoqërisë, kontributi i tyre është themeli jonë. Akti i sotëm i dhunës ndaj një të moshuarës është tronditës, i papranueshëm dhe i patolerueshëm, ndaj Zyra e Presidentes e dënon fuqishëm. Mekanizmat kompetent duhet t’i forcojnë dhe mbikëqyrin kriteret e përzgjedhjes, në mënyrë që atyre që u besohet trajtimi i fëmijëve, grave dhe të moshuarve të kalojnë nëpër filtra të ashpra të rekrutimit”, ka shkruar Presidenca.
Krahas kësaj, e njëjta ka thënë se mbetet obligim ta bëjmë një shoqëri sa më humane dhe se një përpjekje e tillë duhet të jetë e përditshme.