Psikologu flet për dhunën e ushtruar ndaj të moshuarës, tregon se nga vjen dhuna

Publiku i gjërë sot u shokua nga video që doli, ku shihej një e moshuar duke u keqtrajtuar nga infermierja në një shtëpi për kujdes ndaj të moshuarve në Pejë

Xheneta Asallani, moderatore dhe Besnik Kadriu, psikolog

Dhuna ishte temë diskutimi edhe në emisionin “Jeto” me Xheneta Asllanin në Radio Dukagjini, ku i ftuar ishte psikologu klinik dhe psikoterapisti Besnik Kadriu.

Kadriu deklaroi se pamjet që janë shfaqur sonte ishin mjaft të rënda, që shkaktojnë dhembje e emocion. Sidomos kur dhuna dhe agresiviteti manifestohet nga një profesionist i përgatitur për të qënë në kulmin e humanitetit.

Psikologu deklaroi se sjellja e dhunshme nuk lidhet me gjini, por me individë e rrethana. Në rastin e ushtrimit të dhunës ndaj të moshuarës, ai deklaron se sjellja e pacientes ishte pasive, në atë moment ishte e qetë, ndërsa sjellja e infermieres dhe shoqeve të saja nuk kishte të bënte me një përgjigje agresive në vetëmbrojtje, por ishte në suaza të një loje që është shumë e vrazhdë.

Ai vlerëson se reagimi i dhunueses në këtë rast është në prizmin e vlerave të formuara të personalitetit, rrugëtim ky që ndikohet nga shumë faktorë. Personat shoqërues që ishin të pranishëm sipas tij në shumë raste nuk veprojnë për të parandaluar rastin, por bëhen bashkëveprues, e kjo ndodh për shkak të efektit të ndikimit të masës, pasi shpërndahet përgjegjësia dhe të gjithë mendojnë që nuk kanë përgjegjësi duke bërë që të bi endërgjegja dhe nevoja për veprim, e në rast se do të ishin vetëm do të vepronin ndryshe.

Kadriu thekson se vendimi i organeve kompetente për këtë rast duhet të bëjë bujë aq sa bëri edhe publikimi i kësaj videoje, në mënyrë që të ketë efekt në masë.

Në lidhje me dhunën, psikologu deklaroi se ajo vjen nga disa faktorë. Temperamenti sipas tij është tipar i trashëgimisë, pastaj rëndësi kanë edhe mjedisi, modelimi e ekspozimi ndaj dhunës. Ai shon se ne si shoqëri nuk qëndrojmë mirë me këto pasi e gjithë historia jonë kalon në lufta, dukuri që lë gjurmë në gjenetikën tonë.

“Sjellja verbale agresive, sjellja e dhunshme minore, janë sinjale që na bëjnë të kuptojmë se peroni ka predispozitë për dhunë. Mënyra më e mirë e trajtimit është ndihma shëndetësore nga psikologu ose psikiatri”.

Kadriu deklaroi se sjellja agresive mund të trajtohet përmes psikoterapisë, apo nëse është në shkallë më të theksuar edhe me trajtim psikiatrik. Ai nënvizon se personeli i kualifikuar, përkrahja e familjes dhe klienti bashkëpunues e bën rezultatin pozitiv të pashmangshëm.

Psikologu theksoi se në azile për kujdesin e pleqëve do të ishte mirë të punojnë edhe psikologë që monitorojnë kujdesin mendor të banorëve, pasi do të mund të etiketonin edhe punëtorët që shfaqin shenja agresiviteti.