Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, teksa ka folur për marrëveshjet e arritura të enjten e tre nëntorit në Samitin e Berlinit, ka thënë se të njëjtat do të kontribuojnë në bashkëpunim rajonal dhe përafrim me Bashkimin Evropian.
Në një komunikatë për media nga zyra e presidencës thuhet se Osmani ka falënderuar kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe udhëheqësit e BE-së për përkushtimin e tyre ndaj integrimit evropian të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor.
“Presidentja Osmani ka potencuar se marrëveshjet për lëvizjen e lirë me karta identiteti për shtetasit e rajonit, njohja e diplomave universitare, dhe njohja e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve, do të kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe në heqjen e barrierave administrative në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor, duke u afruar edhe më shumë vlerat dhe praktikat evropiane të bashkëpunimit”, thuhet në njoftim.
“Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka falënderuar kancelarin federal të Gjermanisë, Olaf Scholz, si dhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian, për përkushtimin e tyre ndaj integrimit evropian të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se Kosova do të vazhdojë të mbetet palë plotësisht e përkushtuar ndaj Procesit të Berlinit dhe bashkëpunimit rajonal në frymën e barabarësisë”, vijon njoftimi i presidencës.
“Marrëveshja për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale”.
Këto janë tri marrëveshjet që janë nënshkruar nga liderët e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Procesit të Berlinit që po mbahet në Berlin.
Ndërsa heqja e regjimit të vizave në mes të Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës pritet të bëhet përmes vendimeve të tjera bilaterale.
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, në fjalimin e tij në Samitin e Berlinit ka thënë se vendet e Ballkanit Perëndimor janë përkushtuar të punojnë së bashku për të arritur qëllimet dhe synimet në Tregun e Përbashkët Rajonal dhe jo vetëm.
Scholz në këtë samit ka thënë se procesi i normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të përshpejtohet dhe se mund të llogarisin në Procesin e Berlinit për mbështetje.
“Zotimet që po i bëjmë sot janë me urgjencë për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, procesi i normalizimit në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të përshpejtohet, mund të llogarisin në këtë proces që do t’i mbështesë”, ka deklaruar Scholz.
Ky samit përndryshe është konsideruar si lëvizje drejt integrimit të mëtejshëm dhe stabilitetit të rajonit që vendet si Serbia, Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria t’i afrohen anëtarësimit në Bashkimin Evropian, për shkak të frikës nga ndikimet gjithnjë e më të shtuara të Rusisë dhe Kinës në rajon.