“Asgjë nuk është më e rëndësishme se sa shëndeti, prandaj në këta muaj të fundit të vitit ku deputetët e Kuvendit të Kosovës të vendosin, bëjë thirrje që asgjë mos të jetë më prioritet për ndarjen e buxhetit se sa shëndetësia”.
Kjo është deklarata e Presidentes së Kosovës për rëndësinë e institucioneve shëndetësore publike por Vjosa Osmani vetëm dy javë pas ka vendosur që vet të trajtohet në një klinikë private.
Të mërkurën në mbrëmje Zyra e Presidentes njoftoi se ajo ka kryer një intervenim kirurgjik, megjithëse pa dhënë shumë detaje ku u bë kjo.
Thanë se Presidentja ka pasur ndërhyrje të lehtë kirurgjike ose heqjen e tëmthit, e njohur si idhëza dhe se përkohësisht siç e parasheh Kushtetuta, ia ka bartur kompetenca kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca.
Por, lajmi se e para e vendit ka zgjedhur të trajtohet në klinikë private e jo në institucione shtetërore ka zhgënjyer mjekët.
Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë në QKUK, Ferat Sallahu, ka treguar për televizionin se një intervenim i tillë, në klinikën e tyre bëhet prej më shumë se dy dekadash.
“Ky operacion kryhet nga 12 nëntori I vitit 1999, kur e kemi marr laparaskopin e parë donacion. Ndoshta jemi e vetmja qendër në rajon që kemi qendër të laporaskopisë, vetëm për këtë çështje. Anashkalimi që ju është bërë institucioneve shtetërore është e papranueshme. Ne bëjmë sakrificë që të ngrisim cilësinë dhe anashkalimi nga zyrtarët e lartë ka qenë një zhgënjim i madh tek ne. Operacioni që e ka bërë Presidentja, secili kirurgë këtu e kish bërë”, ka theksuar Sallahu.
Duke shtuar se ky nuk është rasti i parë, që politikanët kosovarë zgjedhin klinikat private para atyre shtetëror, drejtori thotë se tek intervenimi i Presidentes, do të duhej të merrej miratimi i një grupi specialistësh.
“Anashkalim prej politikanëve shpesh here kanë bërë. Duke e njoft Prsidenten, s’kisha besu që e kish bë një intervenim të tillë në privatë. Qasjet kirurgjike me anestezion të përgjithshëm duhet të formohet kolegjiumi i mjekëve, pasi mund të ketë pasoja”, ka shtuar ai.
Intervenimi i Presidentes në një klinikë private, zhgënjeu edhe qytetarët.
Ata që sot po qëndronin para klinikave në QKUK-së, thonë se nuk kanë para për trajtim në institucione shëndetësore private.
“Shoqen e kamë këtu, mirë po e trajtojnë, ndoshta Presidentja ka mundësi, në s’kem mundësi më shku në privat. S’kam çka më ba, mirë nuk është ajo më shku në privatë e ne në të shtetit”, është shprehur Rexhepi.
“Këta privatë po kanë pare dhe po i bajnë. Nuk është mirë ajo, nëse dojmë me forcu shtetin duhet edhe operimin me ba këtu, pasi për këtë shtet jemi mundu na”, ka deklaruar Mustafa.
Televizioni ka pyetur Zyrën e Presidentes së Kosovës pse ajo ka zgjedhur që intervenimin ta kryej në institucion privat para atij publik por askush nuk ka kthyer përgjigje për këtë.